Shtatë orë të ditës së djeshme nuk kanë mjaftuar për t’u intervistuar Ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi nga hetuesit e Prokurorisë së Gjykatës Speciale.
Remi është dashur që sot të përgjigjet edhe për të paktën shtatë orë të tjera gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e Speciales, shkruan Insajderi.
Intervistimi i tij ka vazhduar se me fillim nga ora 10 dhe nuk ka përfunduar deri rreth orës 18:00. Ashtu siç ishte intervistuar edhe gjatë ditës së djeshme.
Megjithatë, ai nuk është i vetmi që ka dalë për dy ditë me radhë para hetuesve të Speciales. Sabahajdin Cena ish-anëtar i Zonës së Pashtrikut, është intervistuar për dy ditë më radhë në Prishtinë nga hetuesit.
Avokati i tij, Mahmut Halimi ka bërë të ditur që klienti i tij vazhdon të mos e ketë të përcaktuar statusin në të cilin po hetohet.
“Për momentin është ende status i pa përcaktuar sepse çështja e të dyshuarit me të pandehurin ka dallim shumë të madh, i dyshuari është një person ndaj të cilit ekzistojnë dyshime që i njëjti është i implikuar në kryerjen e ndonjë krimi në kohën relevante për të cilën është e interesuar gjykata, kurse për të pandehurin është një situatë krejt tjetër. Unë shpresoj që klienti im nuk do të jetë as i pandehur e aq më pak i akuzuar”, ka theksuar ai.
Përderisa, Remi dhe Cena janë përballur me intervistime maratonike, Sami Lushtaku, ish-Komandanti i UÇK-së për Drenicë ka pas kohë më të lirë. Ai sot ka udhëtuar në Hagë për t’u intervistuar të mërkurën nga hetuesit e Prokurorisë së Gjykatës Speciale.
Lushtaku është parë duke u shërbyer me birrë, ndërsa në shoqërimin e tij kanë qenë tre deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Djali i tij dhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, së bashku me deputeten tjetër, Ganimete Musliu kanë qenë nën shoqërimin e Lushtakut gjatë gjithë kohës..
Përveç dy deputetëve të PDK-së, nën shoqërimin e Lushtakut në Hagë, ka qenë edhe deputeti i NISMA-së, Milaim Zeka i cili është i akuzuar nga Prokuroria në vend për mashtrim të qytetarëve me viza pune në Gjermani.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke përkujtuar maskrën e Reçakut, ka thënë se vetëm për këtë masakër do të duhej të bëhej një Tribunal Special në Hagë për Serbinë.


