Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se vendimi i SHBA-ve për tërheqjen e trupave nga Siria “është një hap në drejtimin e duhur”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lavrov pas takimit të zhvilluar në Moskë me ministrin e Jashtëm të Palestinës, Riyad al-Maliki deklaroi se “Ka shumë pikëpyetje se si do të zbatohet apo nëse do të zbatohet ky vendim”.
“Megjithatë, vendimi për tërheqjen e trupave të paligjshme nga një vend është një hap në drejtimin e duhur”, tha Lavrov në vlerësimin e tij në lidhje me vendimin e SHBA-ve për tërheqjen e trupave nga Siria.
Po ashtu në vlerësimin e tij në lidhje me pretendimet se SHBA-ja do të reduktojë numrin e ushtarëve të saj në Afganistan, ministri rus Lavrov tha se “SHBA-ja edhe më parë ka dalë nga Afganistani dhe më pas ka hyrë sërish, ashtu sikurse në Irak. Ne duhet të shohim se çfarë do të ndodhë me të vërtetë në këtë drejtim”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka rikujtuar se SHBA-ja edhe më parë ka dhënë premtime se do të tërhiqet nga Afganistani. “Ne jemi në favor të ruajtjes së stabilitetit në Afganistan. Aktualisht po vëzhgojmë me durim vendimin e SHBA-ve dhe ne do të shohim se çfarë do të ndodhë me të vërtetë”, tha Peskov.
Në lajmet e shtypit amerikan të cilat bazohen në disa zyrtarë të paemëruar pretendohet se SHBA-ja do të tërheqë nga Afganistani rreth gjysmën e trupave të saj.