Penalltia e dhënë në ndeshjen Sopoti – Gramshi, në dëm të ekipit mik, është diskutuar shumë në media, por edhe ndërmjet lojtarëve. Pamjet filmike tregojnë qartë që gjyqtari kryesor Ditmar Jubica ka gabuar me vendimin e tij. Simulimi i sulmuesit të Sopotit është i pastër dhe kjo vërehete edhe nga pamjet filmike.
Për të mësuar më shumë rreth asaj që ka ndodhur në fushë në fundjavën e shkuar, neësport.al ka komunikuar me lojtarin e Gramshit, Ledio Koçi. Ky i fundit flet pa doreza dhe zbulon se edhe futbollistët e ekipit librazhdiot e kishin pranuar që nuk ishte penallti. Sipas tij, skuadra gramshiote po ndëshkohet me dashje, ndeshje pas ndeshje.

– Ledio, ishit pranë aksionit në momentin kur gjyqtari Jubica akordoi penalltinë në dëmin tuaj. A mund të na thuash çfarë ndodhi?
Siç e keni parë edhe ju, duket qartë në pamjet filmike që s’kemi të bëjmë fare me kontakt ndërmjet mbrojtësit tonë dhe sulmuesit të Sopotit.
– Protestuat shumë për 11-metërshin e dhënë në dëmin tuaj. Çfarë iu komunikoi gjyqtari Jubica?
Arbitri kishte ardhur me mision kundër nesh duke qenë se edhe një javë më parë kishte arbitruar Sopotin në ndeshjen me Klosin. I njëjti gjyqtar në dy ndeshje, do të thotë që është kundër rregullores.
– Siç e thashë më lart, ju komunikuat me të. Si e argumentoni vendimin e tij?
Argument nga ana e tij nuk kishte sepse ai vetë nuk po dintë çfarë të thoshte.
– Futbollistët e Sopotit gëzuan në momentin e penalltisë. A folët me ta?
Pamjet janë shumë të qarta sa lojtari i Sopotit e pranon që nuk kishte kontakt. Vetëm gjyqtarët e panë kontaktin. Ishte një turp i vërtetetë. Të gjithë futbollistët e pranuan që nuk ishte penallti sepse duket qartë. Nuk na pëlqen mënyra se si po trajtohemi nga gjyqtarët.
– A ke diçka për t’i thënë gjyqtarit në fjalë, por edhe organizatorit të garës, në këtë rast FSHF-së?
Besoj se duket qartë që gjyqtari ishte i komanduar për të na goditur ne sepse edhe 1 javë para nesh, kishte arbitruar Sopotin. Ne kemi një skuadër me djem të rinj, edhe kur ata shohin situata të tilla, është shumë e vështirë që t’i motivosh për të bërë përpara. Duam vetëm korrektësi, pastaj të fitojë kush ekip ta meritojë.