Asamblisti i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani, thotë se kryetari Shpend Ahmeti arriti ta kalojë buxhetin për vitin 2019, me ndihmën PDK’së. Madje sot në Kuvendin Komunal ka qenë i pranishëm edhe nënkryetari i PDK’së, Uran Ismaili, i cili, sipas Rrahmanit, ka votuar pro.
Derisa kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, mohon se ka bashkëpunim me Partinë Demokratike në nivel lokal, është partia e Kadri Veselit ajo që po e ndihmon të cojë përpara .
Asamblisti i VV’së, Eman Rrahmani, ka thënë për Gazetën Express se Ahmeti edhe sot arriti ta kalojë buxhetin, me votat që ia dhuroi koalicioni i fshehtë me PDK’në.
“Votat janë bo bashkë me PDK’në. Kanë votuar pro asmblistët e PDK’së”, ka treguar asamblisti i VV’së.
Rrahmani thotëb se për të pasur kuorum dhe vota të mjaftueshme, në kuvendin komunal sot i pranishën ishte edhe Uran Ismali, ministër i Shëndetësisë dhe nënkryetar i PDK’së, që shumë rrallë duket në Asamblenë komunale.
“Është për çudi se të gjithë asamblistët e PDK’së kanë votu pro. Edhe Uran Ismaili pas shumë kohësh ka ardhë me ia bo Shpendit kuorumin edhe me ia kalu buxhetin”.
Ai beson se PSD tashmë e ka të konsoliduar koalicionin me PDK’në, pasi asamblistët e saj po i ndihmojnë Ahmetit, sa herë që po i duhen.
“Secila seancë po e dëshmon koalicionin e PSD’së ne PDK’në. Edhe e kaluar për shkarkimin e anksionerëve në Ndërmarrjen Publike Banesore. Mirëpo pse s’po e bëjnë publike, me siguri janë pazaret më të mëdha kur bëhën në mënyrë jopublike”, ka thënë Rrahmani.
Kuvendi i Kryeqytetit me 24 vota për, 14 kundër dhe 1 abstenim, ka miratuar buxhetin për vitin 2019./Express/