Pas konfirmimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se nesër do të vijë në Kosovë ai ndër të tjera tha se nuk e do kryenegociator të bisedimeve Fatmir Limajn.
Madje ai e ka quajtur edhe një nga kriminelët e luftës, që organet e ndjekjes në Serbi kanë fakte akuzuese, transmeton Koha.net.
E për këtë ka reaguar Nisma, përmes anëtarit të kryesisë së saj, Endrit Shala.
Shala ka thënë se tash e sa vite Serbia nuk vendos se kush e udhëheq dhe e përfaqëson popullin e Kosovës.
“As Vuçiqi nuk do ta ketë këtë mundësi asnjëherë. Kosova është shtet, i ka institucionet e veta dhe e përcakton vetë kush e udhëheq Kosovën dhe nuk merremi me deklaratat e një ish-ministri të Millosheviqit”, ka thënë Shala, thuhet në një postim të Nismës në Facebook, transmeton Koha.net.
Ai shton se, “në fakt, Vuçiqi sa ka qenë ministër e zëdhënës i regjimit kriminal të Millosheviqit, e pati krijuar një ekip të ashtuquajtur ‘shqiptarë të ndershëm’, që sipas tij, përfaqësonin shqiptarët, madje edhe në Rambuje i ka pas në delegacionin serb. Ajo kohë ka përfunduar moti. Sikurse që ne në Kosovë nuk mund të vendosim kush e përfaqëson Serbinë, pavarësisht që në krye të atij shteti është njeriu që ka projektuar e zbatuar spastrimet etnike në Kroaci, Bosnjë e Kosovë”.
Sigurisht, shton Shala, jo të gjithë kanë aktgjykime të formës së prerë të dënuar për gjenocid e krime kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.
“Pavarësisht, kësaj, ne jemi të përkushtuar për dialog, mirëkuptim e paqe me gjithë fqinjët tanë, duke i respektuar interesat e secilit, pa i cenuar interesat e shtetit të Kosovës. Vuçiq duhet ta ketë të qartë se Qeveria e Kosovës ka vendosur zotëri Limajn udhëheqës të negociatave. Nëse Vuçiq dëshiron të ketë negociata me Kosovën, atëherë ai duhet ta dijë se kryenegociatori i bisedimeve, i caktuar nga Qeveria e Kosovës, është zotëri Limaj”, ka thënë Shala.