Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, ka folur pas shtyrjes së serishme të seancës së thirrur nga opozita si pasojë e mungesës së kuorumit.
Mos pjesëmarrjen e pozitës në seancë, Kusari Lila e quan si ikje nga përgjegjësia, shkruan Gazeta Express.
“ Edhe një herë theksoj se barazimi i një seance të thirrur nga qeveria me seancën e jashtëzakonshme të thirrur për ta mbrojtur integritetin territorial të Kosovës nuk janë të barabarta. Është tepër neglizhente nga ana e pozitës, ikje nga përgjegjësia. E vërejmë se këtu e kemi një çakordim total prej fillimit prej kur është nisur dialogu. Mbi të gjitha pa asnjë transparencë. Eshtë një situatë që vendi po mbetet peng”, ka thënë deputetja Kusari Lila në një konferencë për media.
Ajo u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në seancën ku do të votohet rezoluta që ia ndalon Thaçit të dialogojë për kufijtë në Bruksel.
“Iu bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë deputetëve pa përjashtim që te jenë në seancë që të votohet rezoluta bazë që mbron kufijtë e vendit”, është shprehur ajo.
“ Por një element i pa kontestueshëm mbetet integriteti territorial i Kosovës dhe kufijtë e saj. Parimi bazë është mos ndryshimi i kufijve”, ka përfunduar ajo./GazetaExpress/