Dorëheqja e prokurorit special, Elez Blakaj, dëshmon qartazi se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i dirigjuar nga politika dhe të mos jetë i pavarur. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se zhvillimet e fundit rreth rastit “Blakaj” mund ta dëmtojnë edhe procesin e liberalizimit të vizave, shkruan “Zëri”.
Analistët mbeten skeptikë nëse prokurori i ri do të merret me këtë rast pas deklaratave të ashpra që kanë ardhur nga drejtuesit e institucioneve mbi rastin “Blakaj”.
Analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se puna që e ka bërë prokurori Blakaj do të duhej të ndikonte pozitivisht në liberalizimin e vizave, por janë pikërisht reagimet e udhëheqësve shtetërorë lidhur me këtë çështje të cilat ndikojnë negativisht në procesin e vizave.
“Për shkak se ai është marrë me një çështje shumë të ndjeshme, me pretendimet për fryrje të listave të veteranëve, pra me pretendimet për një lloj krimi të organizuar dhe kjo do të duhej të ndikonte pozitivisht. Por, fatkeqësisht reagimet pastaj nga krerët e shtetit, sulmet që janë bërë ndaj Blakajt dhe gjithë kjo situatë e krijuar, unë besoj që ndikon negativisht në procesin e liberalizimit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Pos kësaj, sipas tij, procesin e liberalizimit do ta dëmtojë edhe letra e publikuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, përmes së cilës i kishte dhënë Blakajt afat prej 30 ditësh që t’i kryente hetimet mbi dosjet e veteranëve dhe t’i raportonte atij.
“Pra nuk bëhet fjalë këtu për dëmtim të procesit vetëm sa i përket liberalizimit, por dëmtim të procesit në përgjithësi, në kuptimin se situata e fundit me prokurorin Blakaj dhe me listat e veteranëve na ka treguar se sistemi i drejtësisë fatkeqësisht vazhdon të jetë i dirigjuar nga politika”, ka shtuar Mushkolaj.
Andaj sipas tij, kriteri kryesor për liberalizim dhe për ecje drejt integrimeve evropiane, që është sundimi i ligjit, ka shumë probleme për t’u plotësuar me njerëz të tillë në krye të institucioneve, të cilët zgjedhin t’i sulmojnë prokurorët. “Duhet sa më shpejt që kjo aktakuzë të shkojë në gjykatë dhe të shihet në një proces fer dhe korrekt, por jam skeptik që mund të ndodhë një gjë e tillë”, është shprehur ai. /Zëri