Lëvizja”Vatra” po kërkon që të këtë përfaqësues të Luginës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet në Bruksel. Sipas Kryetarit të “Vatrës”, Kushtrim Kadriu vetëm në këtë mënyrë do të përfaqësoheshin denjësisht kërkesat e Luginës, shkruan Gazeta Express.
Në debatin për shkëmbimin e territoreve, ide kjo që është dhënë nga Presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi është përfshirë edhe Lëvizja “Vatra”.
Edhe Vatra po kërkon që në dialogun e Brukselit të ketë përfaqësues të Luginës.
“Duke e parë insistimin e Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, që të fus në agjendën e bisedimeve me Serbinë, çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve të Kosovës Lindore, gjegjësisht propozimin e tij për bashkim të saj me Republikën e Kosovës, Lëvizja Qytetare Vatra propozon që të përfshihen në ekipin negociator përfaqësues nga Kosova Lindore”, kështu shprehet, Kushtirm Kadriu, kreu i “Vatrës”.
Sipas të Kadriut, pjesëmarrja e tyre do të ishte jetike, pasi që i dinë mirë rrethanat politike e ekonomike të Kosovës Lindore dhe mbi të gjitha ata janë përfaqësues legjitim të dalë nga vota popullore e asaj pjese shqiptare dhe do të mund të përfaqësonin më denjësisht interesat e tyre.