BallinaBujqësiPse duhet ta konsumoni qumështin e dhisë

Pse duhet ta konsumoni qumështin e dhisë

Qumështi i lopës mbetet një nga produktet më të konsumuara çdo ditë nga shqiptarët, por ky qumësht është arsyeja përse shumë njerëz përjetojnë fryrje dhe probleme të tjera me tretjen. Qumështi i dhisë nga ana tjetër është një alternativë më e shëndetshme.

Dhitë prodhojnë 2 për qind të sasisë globale të qumështit, e njerëzit që konsumojnë qumësht dhie janë më pak të prekur nga alergjitë dhe problemet me tretjen. Sipas studimeve, qumështi i dhisë përmirëson shëndetin në shumë mënyra të ndryshme.

Qumështi i dhisë nuk shkakton inflamacion, ndaj rekomandohet për njerëzit që vuajnë nga inflamacioni i zorrëve. Studimet kanë konfirmuar se qumështi i dhisë rrit përthithjen e hekurit dhe bakrit, sidomos tek njerëzit që kanë probleme me tretjen.

Një nga vlerat kryesore të qumështit të dhisë është se ngjan shumë me qumështin e gjirit. Përmbajtja kimike e tij është shumë e përafërt me qumështin e gjirit, ndaj tretet dhe asimilohet më lehtë nga organizmi.

Sipas informacioneve, përmasat e molekulave të yndyrave tek qumështi i dhisë janë më të vogla se ato tek qumështi i lopës. Kjo e bën qumështin e dhisë më të lehtë në tretje.

Qumështi i lopës përmban 17 për qind acide yndyrore, ndërsa ai i dhisë plot 35 për qind. 50 për qind e njerëzve që janë të ndjeshëm ndaj qumështit e kanë më të lehtë të konsumojnë qumështin e dhisë se atë të lopës.

Ky lloj qumështi përmban jo vetëm kalcium, por edhe triptofan, një aminoacid i rëndësishëm për organizmin. Qumështi i lopës ka lidhje më të fortë me alergjitë dhe sekrecionet e tepërta, për shkak të molekulave të mëdha të yndyrës. Qumështi i dhisë nuk shkakton alergji dhe është më i butë me stomakun. Qumështi i dhisë është përdorur tradicionalisht për të ushqyer dhe rigjallëruar sistemin nervor.

Ai ka një dendësi të madhe ushqimore dhe në një gotë të vetme plotëson 35 për qind të nevojës ditore për kalcium. Një gotë me qumësht dhie ofron shumë fosfor, vitaminë B-12, proteinë dhe kalium. Qumështi i dhisë përmban selenium, një mineral i rëndësishëm për sistemin imunitar dhe mbarëvajtjen e organizmit.