Nëpërmes të një njoftimi publik, zëdhënësja e “Ferronikelit”, Lindita Daija, ka thenë se edhe zyrtarisht “NewCo Ferronikeli Complex LLC”, është blerë nga NKL Limited, pjesë e Balfin Group. Pronari i ri, Samir Mane, të martën ua ka paguar të gjithë punëtorëve nga një pagë që u kishte mbetur borxh menaxhmenti i vjetër, ndërsa brenda javës do t’ua paguaj edhe nga një gjysmë page, raporton “Zëri.info”.
Tashmë edhe zyrtarisht është konfirmuar se NKL Limited, e cila është në pronësi të Balfin Group” dhe udhëhiqet nga miliarderi shqiptar, Samir Mane, me seli në Londër është pronar i ri i NewCo “Ferronikelit”. “Ferronikeli”, nëpërmes të zëdhënëses Lindita Daija edhe zyrtarisht ka njoftuar se NewCo Ferronikeli Complex LLC”, një nga operatorët më të mëdhenj në fushën minerare dhe metalurgjike në Ballkan, është blerë nga një kompani me seli në Mbretërinë e Bashkuar që kontrollohet nga Balfin Group. Siç thuhet në njoftim, NKL Limited, shumica e aksioneve të cilat janë në pronësi të “Balfin Group”, është një kompani e specializuar ne fushën minerare dhe metalurgjike, me seli në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kjo kompani ka blerë 100% të aksioneve të NewCo Ferronikeli Complex LLC. NKL Limited ka marrë kontrollin e NewCo Ferronikelit pas ekzekutimit të marrëveshjeve të detyrueshme dhe së bashku me Menaxhmentin e Kompanisë është duke u përkujdesur për të gjitha përgjegjësitë në baza ditore. Balfin Group, menjëherë pas marrjes së kontrollit, ka treguar angazhimin e tij ndaj NewCo Ferronikelit duke investuar fonde të mjaftueshme për të rifilluar prodhimin sa më shpejt që të jetë e mundur. Balfin Group gjithashtu është duke bashkëpunuar me kontraktorët e kompanisë, furnizuesit dhe partnerët e saj për të rënë dakord për bashkëpunimin dhe angazhimin e mëtutjeshëm për biznesin dhe operimin e NewCo Ferronikelit. Menaxhmenti i kompanisë është mirënjohës për mbështetjen e plotë që është duke pranuar nga aksionerët e saj të rinj dhe së bashku me Balfin dhe NKL Limited dëshirojnë të shprehin vlerësimin e tyre për punonjësit, partnerët, institucionin bankar, kontraktuesit, furnizuesit dhe të gjithë komunitetin e Republikës së Kosovës. Balfin Group dëshiron të shpreh mirënjohje per mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë në ekzekutimin e blerjes dhe mirëpret investimet tona të fundit në vend”, thuhet në njoftimin e zëdhënëses së “Ferronikelit”, Lindita Daija.
Ajo ka përkujtuar se NewCo Ferronikeli është një aset strategjik i rëndësishëm për Republikën e Kosovës me rëndësi të madhe për ekonominë në pergjithësi.
“NKL dhe Menaxhmenti tani po ecin përpara me shpejtësi për rifillimin e prodhimit në fabrikë dhe janë duke vepruar fuqishëm në drejtimin për të rikthyer NewCo Ferronikelin si një prodhues dhe eksportues kryesor të ferronikelit ne nivel global”, thuhet në njoftim. Edhe pronari i ri i “Ferronikelit”, miliarderi shqiptar, Sami Mane, i cili të marten ka vizituar “Ferronikelin” ka dhënë premtime të mëdha, të cilat kanë kurajuar punëtorët. Ai ua ka paguar nga një pagë të gjithë punëtorëve të “Ferronikelit”, të marten, ndërsa ka premtuar se brenda një jave do t’ua paguaj edhe nga një gjysmë page, në mënyrë që obligimet ndaj punëtorëve, të cilat atyre u kishin dhënë shkas për ta ndërprerë prodhimin, të përmbushen.
“Ne kemi shpresa të mëdha për NewCo Ferronikelin dhe besojmë se është një investim kyq në Kosovë që ka potencial të jashtëzakonshëm. Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjithë personat e përfshirë në bërjen e kësaj të mundshme dhe presim me kënaqësi të punojmë me një ekip të mrekullueshëm në udhëheqjen e këtij biznesi. Ne synojmë që gradualisht të zgjerojmë kapacitetin prodhues, të investojmë në zhvillimin e teknologjisë dhe të vazhdojmë të rrisim Kompaninë dhe biznesin e saj në baza të qëndrueshme “, tha Samir Mane, aksionari kryesor i NKL Limited, pronar i ri i gjigantit të dytë më të madh ekonomik kosovar, pas “Trepçës”.
NewCo Ferronikeli është një nga kompanitë më të mëdha minerare dhe metalurgjike në Ballkan në fushën minerare si dhe eksplorimin e xehes të nikelit dhe në përpunimin e saj për të prodhuar ferronike,l që destinohet për eksport në tregjet ndërkombëtare. Kompania operon me një shkritore moderne, zotëron asete minerare për nevojat e saj të prodhimit dhe drejtohet nga një ekip i udhëheqësve dhe ekspertëve në fushën e metaleve dhe minierave. Ndërkaq, Balfin Group, është një nga kompanitë më të mëdha private në Evropën Juglindore me investime dhe operime të rëndësishme në pasuri të paluajtshme rezidenciale dhe komerciale, shitblerje, miniera dhe shkritore.
Me ardhjen e pronarëve të rinjë, punëtorët e “Ferronikelit” besojnë se prodhimi do të rifillojë shpejtë, si dhe që të gjitha obligimet që ka ndërmarrja ndaj tyre do të shlyhen. Edhe zotimi i tij se nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve të tij, atëherë prodhimit do të kthehet brenda 20 ditëve, ka inkurajuar punëtorët e “Ferronikelit” që të shpresojnë për ditë më të mira. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, i tha “Zërit”, të mërkurën, se ka takuar pronarin e ri të “Ferronikelit”, Samir Mane, i cili siç tha Nika, që në ditën e parë ka treguar seriozitet dhe interesim që fabrika të nisë me prodhimin.
“Pronari i ri është treguar shumë i kujdesshëm dhe i interesuar që t’i zgjidhë të gjitha problemet me punëtorët, në mënyrë që prodhimi të fillojë shpejt dhe puna të ecën. Ai ka premtuar se do t’i zgjerojë kapacitetet prodhuese, të investojë në zhvillimin e teknologjisë dhe të vazhdojë ta rris kompaninë dhe biznesin e saj në baza të qëndrueshme.
Natyrisht, që në ditën e parë që z. Mane ka ardhur në ‘Ferronikël’ është kryer një pjesë e obligimeve ndaj punëtorëve, respektivisht të gjithë punëtorëve u është paguar nga një pagë që menaxhmenti i vjetër u ka mbetur borxh, ndërsa ka premtuar se brenda një jave do të shlyhet edhe borxhi tjetër, nga gjysmë page që ka mbetur”, tha mes tjerash kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika.
