Ka dy muaj që u shkarkua nga posti i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në bazë të akuzave për kanosje. Por po del që Ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo e kishte shkarkuar Elhami Hajdarin pasi ai kishte refuzuar t’ia paguante jashtëligjshëm 400 mijë euro një biznesi që kishte raporte afariste me gruan e ministrit serb.
Të ashtuquajturat fakte nga ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo që çuan deri te shkarkimi i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari, u shfuqizuan nga Këshilli i Pavarur i Mbikëqyrjes.
Arsyeja e shkarkimit ishte se Hajdari ka kryer vepër penale të kanosjes, por vetë kryeshefi thotë se shkarkimi u bë për shkak se ai kishte refuzuar t’ia paguante 400 mijë euro kompanisë “Extra Frut Filings” në Prizren, marrëveshje me të cilën ka kompania e udhëhequr nga gruaja e ministrit, Biljana Rikallo.
Për Gazetën Express, Elhami Hajdari tha se beson plotësisht në organet përgjegjëse rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje, për të cilën thotë se ka kryer punë totalisht transparente.
“Unë mendoj se organet përgjegjëse duhet të japin mendimin e vet, se unë e kam kryer detyrën time për të cilën, as në të ardhmen, jashtë ligjeve, nuk do të punojë kurrë, asnjëherë”, tha Hajdari.
Gazeta Express ka siguruar dokumentin që Këshilli tregon se vendimi i ministrit Rikallo për shkarkimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, është jo ligjor dhe i pabazuar.
“Shfuqizohet vendimi me numër KM/132/19 dhe numër protokolli …. të datës 10.05.2018 i nxjerrë nga Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në vendim.
Ndërsa, pika e tretë e këtij vendimi, obligon ministrin Rikallo që brenda afatit prej 15 ditës, Elhami Hajdarin ta kthejë në vendin e punës, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Vetë Hajdari për Televizionin 7, disa ditë pas shkarkimit që iu bë nga ministri serb, pati thënë se Rikallo i ka bërë presion atij për të paguar 400 mijë euro për projektin e kësaj kompanie, marrëveshje me të cilën ka kompania e udhëhequr nga gruaja e ministrit.
Hajdari madje, pati thënë se ky nuk është i vetmi keqpërdorim që ka bërë Nenad Rikallo. Ai ka thënë se ka edhe tendenca për favorizime dhe keqpërdorime të tjera me vlera milionëshe./Express/

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/kpm-i-kerkon-rikallos-ta-ktheje-ne-pune-elhami-hajdarin-559210/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright


