Derisa kryeministri Ramush Haradinaj u përgjigjej ashpër deputetëve për çështjen e publikimit të kontratës me “Bechtel”-in, Kujtim Shala, si kryesues i seancës së Kuvendit, i tha Haradinajt “fol si duhet në Parlament, ose e ndërpres seancën”.
Kryeministri Ramush Haradinaj iu drejtua thirrësve të interpelancës me fjalët: “S’po ju vjen marre, çka po doni bre, keni thirrë interpelancë kundër meje, kur vetë e keni pru punën këtu”.
Kështu tha kryeministri derisa iu përgjigj Dardan Sejdiut, i cili kërkoi që kryeministri ta publikojë kontratën e “Bechtel Enka”-s.
E pas kësaj, reagoi Kujtim Shala i LDK-së, si nënkryetar i Kuvendit, ku i tha kryeministrit të flasë si duhet në Parlament ose do ta ndërpresë seancën.
Por, menjëherë pas kësaj, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalija, e lidhi sëmundjen e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, pikërisht me këtë skandal. Ai, duke dashur ta bartë tërë përgjegjësinë për këtë humbje te Qeveria paraprake, tha se “Isa Mustafa ka qenë në depresion pikërisht për këtë çështjeje…” /Express/



