Moti i pazakontë që preku mbrëmjen e djeshme Tiranën, solli dëmtime të mëdha jo vetëm në përmbytjen e rrugëve.
Në Kombinat, rrufetë e rëna dhe shkarkimet atmosferike dëmtuan nënstacionin elektrik, duke lënë pa energji këtë zonë. Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, dëmtimi ndodhi në orët e para të mëngjesit. Nga fotot dhe videot shikohet shembja e një pjese të godinës dhe djegia e pajisjeve 35kV bashkë me transformatorin.
Punonjësit e OSHEE, sektori i avarive “tensioni i lartë” kryen manovrimet e para duke mundësuar furnizimin me energji elektrike nga linja të dyta unazore.
Megjithatë, energjia elektrike në një pjesë të zonës së Kombinatit në Tiranë erdhi gjatë orëve të pasdites së sotme.






/Express