Panairi i Librit këtë vit shënon edicionin e 20-të. Lexuesit e librave thonë se çmimet të cilat shtëpitë botuese i ofrojnë zakonisht në panair nuk janë të volitshme dhe se nuk ka oferta të kënaqshme për blerjen e librave.
Ermir Bujupaj, student i gazetarisë në UP, thotë se çmimet e panairit me çmimet e zakonshme dallojnë shumë pak.
“Zbritje ka pasur shumë pak, 1 euro se 2 nga çmimet e zakonshme”, tha Bujupaj.
Ndërsa Besart Peci nga Mitrovica, aktivist i shoqërisë civile, thotë se ai nuk ka qenë asnjëherë i kënaqur me çmimet që janë ofruar në këtë panair.
“Duhet kuptuar që është panair dhe duhet ofruar një mundësi më e lehtë për blerje të librave, që nënkupton çmime më të ulta, jo zbritje që arrijnë një 10-20%”, u shpreh Peci.
Ai poashtu u shpreh se duhet mirëkuptuar edhe studentët dhe të ardhurat e tyre.
Shkumbin Haxha, nxënës nga Shtimja, tregon për listënme libra të cilat do t’i blejë këtë vit.
“Lista do t’ishte më e gjatë po të ishin çmimet më të ulëta, apo rrogat më të larta”, tha ai.
Mirëpo ndryshe mendon juristi Gzim Shala. Ai u shpreh se është hera e tetë radhazi që e viziton Panairin e Librit dhe se çmimet e librave kanë qenë të levërdishme.
“Ka pasur rast kur kam blerë deri në shumën prej 350 eurove. Në totalin e librave, unë kam mundur të kursej mbi 40% të cmimit të tyre jashtë panairit”, tha Shala.
Sipas tij, problemi kryesor i Panairit të librit është mungesa e literaturës profesionale. Ai nuk shpreson që kjo problematikë të zgjidhet këtë vit.
“Nëse e marrim si shembull sektorin e librave të drejtësisë, në këtë panair nuk mund të gjesh asgjë të veqantë të cilën nuk mund ta gjesh jashtë panairit.”, tha ai.
Të gjithë e shohin gjendjen ekonomike se pengesë për blerjen e librave në masë të madhe. Paga mesatare në Kosovë është rreth 350 euro, ndërsa shkalla e papunësis arrin 28% të popullsisë.
Jo të gjitha shtëpitë botuese kanë paralajmëruar për çmimet dhe ofertat që do t’i kenë kësaj here. Disa prej tyre kanë publikuar në Facebook titujt dhe çmimet e librave që lexuesit do të mund t’i gjejnë nëpër tezgat e tyre.

Panairi i Librit është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Ai çdo vit frekuentohet nga një numër i madh i vizitorëve. Këtë vit edicioni i 20-të i panairit do të mbahet në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, më datat 5 deri 10 qershor.
Haris Ademi – KosovaLajm