Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive në emisionin “Pressing”, me Leonard Kerqukin, në televizionin T7.
Daut Haradinaj është pyetur se a duhet hapur apo jo temat e luftës në Kosovë.
“UÇK e ka përmbyllur mandatin më 13 qershor. Më 29 shtator, është transformuar në TMK. Kapitulli UÇK, në ditën që është nënshkruar marrëveshja e çmilitarizimit dhe transformimit, është mbyllur”, ka thënë ai.
“Nuk mundet më kurrkush të thirret në ato vlera. Ato vlera i takojnë së kaluarës. Sot duhet të përgjigjet secili për ditën e sotme”, është shprehur Daut Haradinaj.
“Në rast se ka diçka që duhet ta dijë opinioni publik, ose është vepër penale, ose është bërë një krim i caktuar, janë vendet ku duhet të shkohet”, ka deklaruar ai në T7.
“Duhet të shkohet dhe të bëhet denoncim në organet kompetente. Kemi mekanizma të drejtësisë sa të duash”, ka theksuar Daut Haradinaj.
“S’ka mekanizëm ndërkombëtar i drejtësisë që s’e ka trajtuar Kosovën me theks të veçantë. Njëherë Haga, njëherë UNMIK-u, njëherë EULEX-i, tash Specialja…”, ka thënë ai në “Pressing”.
“S’di çka ju duhet tjetër gjë veç tash të vijnë në foltore të Kuvendit, të bëjnë këso pallavrash”, është shprehur Daut Haradinaj.
“Nuk i respektoj. Dorën në zemër, këto më duken mua abuzive. Edhe për opinionin publik, edhe për nivelin parlamentar”, ka deklaruar ai. /Express/