Në emisionin Rubikon të KTV-së i ftuar ishte nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, shkruan Periskopi.
Ai foli për një varg çështjesh të ndryshme, përfshirë incidentin me deputetin Arben Gashi, akuzat e bëra ndaj tij nga deputeti tjetër Anton Quni, marrëdhëniet e UÇK-së me Qeverinë e Bujar Bukoshit dhe për marrëveshjen përfundimtare të Kosovës me Serbinë.
Haliti në debat dukej mjaft i shqetësuar, mosdurues dhe jologjik.
Për incidentin me deputetin Gashi, ai tha se një gjë e tillë e bënte të ndjente turp – por se, i takonte Gashit më shumë që të kërkonte falje. Nënkryetari i Kuvendit nuk hezitoi ta përmendte edhe kanunin brenda këtij konteksti.
Sa i përket akuzave që i kishte bërë Anton Quni se ai i kishte marrë 8 milion marka nga Qeveria, Halitit iu ngrys më shumë fytyra dhe u bë më i pastrukturuar dhe i paqartë në fjalët e tij. Ai tha se parat që i kishte dhënë Bukoshi, ishin shpenzuar për vetëm pesë ditë. Nënkryetari i Kuvendit e pranoi se kishte marrë para nga Qeveria e Bukoshit, por tha se ato ishin para të pakta.
Derisa fliste për këtë pjesë, ai tha se “këto gjëra do të dihen në 2-3 muajt e ardhshëm”. I pyetur nga gazetari se çka nënkuptonte kjo, ai nuk dha ndonjë shpjegim.
Momentet e shpërthimit të tij ishin të shumta gjatë kësaj pjese. Përveç përmendjes së dy-tre muajve të ardhshëm për zbardhjen e kësaj çështjeje, ai iu drejtua edhe gazetarit duke i thënë: “të gjithë i kemi nga 2-3 milionë, edhe ti i ke 2-3 milionë”, shkruan Periskopi.
Në një tjetër pikë, Haliti me nervozizëm tha: “Na e kemi çliru Kosovën. Pa UÇK-në ti do të flisje sërbisht [gazetarit]”.
Humbja e arsyes nga nënkryetari i Kuvendit, si një prej njerëzve kryesorë të UÇK-së dhe PDK-së është shenjë se zhvillime të reja dramatike pritet të ndodhin në Kosovë./Periskopi