Begzad Sinani kishte qenë kryetar i Komunës së Kamenicës për dy mandate. Ai kishte fituar garën në këtë komunë, si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai kishte synuar që t’i hynte garës për të parin e Kamenicës edhe për mandatin e tretë. Por, partia nuk e nominoi atë. Burime të Periskopit bëjnë të ditur se kjo e shtyri atë që të largohet nga kjo parti dhe të formojë një Iniciativë Qytetare në Kamenicë.
Burime të Periskopit bëjnë të ditur se Begzad Sinani më nuk do të jetë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, ai është larguar nga kjo parti për të formuar një Iniciativë Qytetare në qytetin, të cilin e qeverisi për dy mandate.
Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar me dhjetëra herë Sinanin, por ky i fundit nuk është përgjigjur.
Ai, nuk ka kthyer përgjigje as në mesazhet e Periskopit lidhur me këto informacione.
Në Kamenicë, Begzad Sinani kishte fituar garën dy herë si kandidat i PDK’së.
Pati synime që të kandidojë edhe për një mandat të tretë.
Por, një gjë të tillë ia pamundësoi partia e tij (PDK’ja), e cila nominoi Kujtim Gashin si kandidat për kryetar të Kamenicës.
PDK e humbi garën në komunën, me të cilën qeverisi për dy mandate me Begzad Sinanin.
E ky i fundit duket se ishte mllefosur nga vendimi i partisë që ai të mos kandidohet për të tretën herë në Kamenicë.
Ai, as nuk kishte qenë i njoftuar me këtë vendim të partisë.
Përveç Sinanit, garës synonte t’ia mësynte edhe Emin Krasniqi.
Por, as ky i fundit s’kishte marrë miratimin e partisë, e cila ishte e vendosur që Kujtim Gashi të kandidonte për shef të Komunës.
Kështu, Begzad Sinani bashkë me Emin Krasniqin kishte mbetur vetëm kandidat në tentativë për kryetar të Komunës së Kamenicës.
“Nuk kam këso informacioni që është kandiduar Gashi. Por unë e di se çdo anëtar i PDK’së, dega në Kamenicë, ka përgatitje për ta udhëhequr komunën. Këso informacioni nuk kam. Nuk e di se çfarë ka bërë qendra, unë kam pritë që do të jem sërish kandidat”, kishte thënë Sinani, pas zyrtarizimit të Gashit nga partia.
PDK e LDK qeverisën me Komunën e Kamenicës që nga paslufta. Ndërsa, në mandatin e fundit zgjedhjet i fitoi Qëndron Kastrati, i cili kishte qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje./Periskopi