Pas një shkrimi të kryetarit të degës së AKR-së në Skenderaj, Musa Dervishaj, i cili hedh akuza ndaj ministres të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe njëherësh zëvendëspresidentes së AKR-së, Albena Reshitaj, ka reaguar Aleanca Kosova e Re, ku i ka dalë në mbrojtje asaj.
AKR thotë se vlerëson lartë ministren Albena Reshitajn për angazhimin e saj që mbështes qytetarët e Skenderajit, me projekte me vlerën rreth 1 milion euro nga buxheti i MMPH-së.
Ja sqarimi i plotë i AKR-së:
Përkitazi me reagimin e Kryetarit të Degës së AKR-së në Skenderaj z. Musa Dervishaj
Aleanca Kosova e Re, sqaron Degën e AKR-së në Skenderaj dhe Kryetarin e Degës Musa Dervishaj, se vizita e Ministres Albena Reshitaj në Skenderaj, ditën e mërkurë, ka qenë protokollare dhe e organizuar nga kabineti i Kryetarit të Skenderajit z. Bekim Jashari.
Zëvendëspresidetja Albena Reshitaj, e cila është edhe Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, në Skenderaj ka qëndruar në cilësinë e përfaqësuesit institucional dhe jo partiak.
AKR shpreh vlerësim të lartë për angazhimin e Ministres Reshitaj, që qytetarët e Skenderajit të mbështeten me projekte me vlerën rreth 1 milion euro nga buxheti i MMPH-së.
Jemi të bindur që projektet e ndara nga Ministrja Reshitaj do të përmirësojnë jetën e banorëve të Skenderajit, dhe kjo do të duhej t`I bënte të lumtur e krenar të gjithë përkrahësit dhe elektoratin e AKR-së në Skenderaj.
AKR, vlerëson se keqkuptime të këtilla nuk duhet të ndodhin në të ardhmen sepse nuk i bëjnë mirë as vet subjektit tonë politik.
Zëvendëspresidentja Reshitaj është e gatshme që në aktivitetin e saj politik të bashkëpunojë ngushtë edhe me degën e Skenderajit sikurse me secilën degë tjetër të partisë.