Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Valdrin Lluka ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se në shumën prej 60 milionë eurove borxhe të Telekomit të Kosovës (TK) janë edhe 24 milionë euro, të cilat në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Telekomi i Kosovës detyrohet t’ia paguajë operatorit virtual “Z-Mobile”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Kompanisë publike Telekomit të Kosovës do t’i faturohet edhe borxhi prej 24 milionë eurove, i cili në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit e detyron Telekomin e Kosovës t’ia paguajë operatorit virtual “Z-Mobile”.
Këtë shumë të konsiderueshme të mjeteve kompania publike do të detyrohet t’ia shlyejë kompanisë private, ndonëse kohë më parë ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ishte deklaruar publikisht se pronari i kompanisë “Z-Mobile”, Blerim Devolli, kishte hequr dorë nga kjo shumë e mjeteve vetëm e vetëm për të mos e sjellë në gjendje të rëndë Telekomin e Kosovës, shkruan më tutje “Zëri”.