Rilindja kishte shkruar për shpenzimet e gjakovarëve në vitin 1963.
Se sa vlerësojnë banorët e Gjakovës paratë dhe janë dorështrënguar nuk është temë e viteve të fundit.
Gjeneratë pas gjeneratë kjo temë u diskutua, e nga kjo shpesh herë duke u bazuar në realitet rrodhën edhe shumë barsoleta.
Për të shuar kureshtjen, Gazeta Rilindja 55 vite më parë kishte bërë një anketë që u plotësua nga më shumë se treqind punëtorë, në komunën që atëherë kishte pak më shumë se 23 mijë banorë.
Krejt kjo kishte vetëm një qëllim, me pa si jeton dhe ku e çon dinarin gjakovari, ai mesatari.
“Sado që të gjithë përpiqen me krijue jetë të lumtun e pa halle, sadoqë kanë nji rrugë zhvillimi, ata jetojnë në mënyrën e vet. I mbushet mendja atij me të thanë edhe: Çka po të hyn ty n’udhë se ku shkon dinari im?!…”Rilindja e gazetari Zenun Celaj kishin përgatitur me këtë rast edhe një sërë pyetjesh.
“Sa antarë familje ke, ku banon, cili asht kualifikimi yt, ku ushqeheni, për çka ndani ma së pari të holla, sa shpenzon për veshmbathje e sa për ushqim, çfarë pajisjesh elektronike t’amvisnin keni në shtëpi, kush i mban të hollat në familje, a vijoni ndonji shkollë nate ose tjetër, a i ndihmoni grues në punët shtëpijake, a…? dhe një mori pyetjesh tjera qenë ato që morëm përgjegjet prej kosovarit punues.
Gjakova që dikur identifikohej si qytetet i meshkujve, shkruhet se ka ndryshuar epitet, sepse ka një numër të konsiderueshëm të grave që punojnë.
“Ankoheshin dikur gjakovarët, se nuk kanë femra. Të prirun janë edhe tash me u ankue se s’po gjejnë femna për martesë. Mirëpo, anketa e jonë tregoi të kundërten.’
E misteri për rrogën e banorit të Gjakovës, u zgjidh kur nga anketa doli se një gjakovar sapo merr rrogën mendon për ushqim.
“Gjakovari ynë i anketuem, më të marrun të rrogës së pari mendon për ushqim. Në kët kategori bëjnë pjesë 70.2% t’anketuemve, kurse 2.5% sëpari ndajnë të holla për duhan, 4% për ndërtimin e shpijave, 15% për garderobë, 1.5% për gazeta dhe libra, etj.”
Qysh atë kohë, ata kishin pajisje të ndryshme, si shporetë elektrikë, frigoriferë, maqina për lajme të rrobave etj.
Atëherë ishte konstatuar se gjakovarët po e ndryshonin edhe mentalitetin pasi që kishin filluar që t’u ndihmonin grave në punët e shtëpisë e t’ua linin të hollat.
E përveç kësaj, një pjesë e mirë e tyre kalonin pushimet në vende të ndryshme dhe lexonin shtypin rregullish.