Sot është dita e pestë e kërkimit të dy policëve të zhdukur nga Kaçaniku.
Pikërisht sot, lumit “Lepenc” do t’i ndryshohet rrjedha për të kërkuar nën një urë ku dyshohet se mund të gjenden policët.
Një faqe lokale e Facebook-ut nga Kaçaniku u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të kësaj komune që të dalin dhe të kërkojnë policët Malsor Dashi e Armend Trena, shkruan Periskopi.
“Nga çasti në çast pritet të ndalet rrjedha e lumit ku dyshohet se janë zhdukur dy policet nga Kaçaniku. Apelojmë gjithë kaçanikasit dhe ata nga Hani i Elezit të shkojnë, pasi Lepenci po ndalohet… T’I GJEJMË”, thuhet në thirrjen e faqes.
Malsor Dashi e Armend Trena u zhdukën të shtunën mbrëma, përderisa po i jepnin makinës nga Hani i Elezit drejt Kaçanikut.
Makina ku gjendeshin ata është gjetur, po ashtu revolet, pendrekët dhe prangat e tyre, por trupat e tyre jo dhe asnjë gjurmë tjetër që shpien tek ta.
Deri tani janë ngritur dyshime si nga qytetarët, po ashtu edhe nga disa familjarë të policëve, se ata mund të mos gjenden fare në lumin “Lepenc”.


