Ka një javë qëkur Art Kurti, 23-vjecar, nga Gjakova ka vdekur në rrethana ende të panjohura. Organet e hetuesisë kosovare këtë rast e kanë cilësuar si vetëvrasje. Ndërkohë që raporti i autopsisë i bërë nga Mjekësia Ligjore, nuk saktëson nëse Arti ka kryer apo jo vetëvrasje. Ekzaminime të tjera nga ana e Prokurorisë lidhur me këtë rast pritet që të nisin së shpejti.
Vendi ku Art Kurti dyshohet se kreu vetëvrasje, fshati Goden, për një kohë të gjatë kishte qenë vendi i tij i preferuar. Ai kohë pas kohë e vizitonte atë vend duke u kënaqur me pejsazhin e qytetit të Gjakovës, të cilin ia ofronte pamja nga lartë. E ishte pikërisht Godeni, vendi ku Arti dyshohet se i mori jetën vetës me një plumb në kokë.
Por, një javë pas kësaj ngjarje ende nuk dihet shkaktarët që e çuan 23 vjeçarin drejtë këtij akti. Ndërkohë që raporti preliminar i autopsisë së kryer në trupin e tij nuk saktëson nëse ai ka kryer vetëvrasje.
“Ne jemi në fazën e hetimeve. Ende nuk e kemi marrë me shkrim raportin. Por me gojë ata na kanë thënë se nuk shkruan në raport nëse është vrasje apo vetëvrasje. Thuhet se vdekja ka ndodhur nga depërtimi i plumbit”, ka thënë Selimaj, duke paralajmëruar edhe hetime të tjera lidhur me këtë çështje.

