Rreth 400 vetura janë rreshtuar pas njëra-tjetrës në autostradën që lidh Pejën me Prishtinën, për të realizuar një pamje interesante.
E kjo, sipas faqes së ETC’së, po bëhet në kuadër të xhirimeve për dokumentarin e 30-të vjetorin e kësaj kompanie, shkruan gazetametro.net.
“Në kuadër të përgatitjeve të Dokumentarit, si pjesë e shënimit të 30 vjetorit të themelimit dhe punës së “Elkos group”, sot mbi 400 automjete të kompanisë defiluan në magjistralen Pejë-Prishtinë. Kënaqësi kur angazhimi ndër dekada, shpërblehet me sukses”, thuhet në njoftim.
Ramiz Kelmendi, si kreu i kësaj kompanie ndoqi nga afër këtë defile, pas të cilit ai foli edhe për meritat që ETC’ja është në këtë pikë.

“Meritat i takojnë, familjes, miqve, bashkëpunëtorëve e mbi të gjitha punonjësve dhe konsumatorëve. Familja “Elkos” po rritet.” -është shprehur deputeti Kelmendi.

Ndërkohë, në këtë përvjetor të ETC’së, këtë kompani e përfshiu skandali me mishin e prishur. Metro kishte zbuluar se kompanisë së deputetit Kelmendi iu kishin gjetur mbi 500 kg mish i prishur në Mitrovicë, pas të cilit raportim u kapën edhe mbi 500 kg mish të tillë edhe në Prizren.



