

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) ka njoftuar sot se ka ardhur në përfundim se kostoja që qytetarët duhet të paguajnë për shpenzimin e energjisë elektrike duhet të jetë 7.6 për qind.
Por, këtë e ka kritikuar sot deputeti i Grupit të Pavarur të Deputetëve, njëherësh zëvendëskryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Dardan Sejdiu.
Në mbledhjen e sotme të komisionit, Sejdiu ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me propozimet e parametrave të propozuar, duke thënë se nuk ka asnjë arsye ekonomike për të ecur përtej numrave të propozuar, pasi që siç tha ai, kostoja e vlerës së parasë në treg është më e lirë se që e kërkon KEDS-i.
Sipas tij, kosto e borxhit të cilën ZRRE i ka pranuar KEDS-it si propozim, duhet të rishikohet, pasi për kreditë në nivel afatgjatë, interesi vjetor nuk kalon 4.5, gjë që sipas Sejdiut, e bën propozimin e ZRRE-së shumë liberal, duke shkuar deri në 6.5.
Ai tha se një gjë e tillë do të ketë ndikim direkt në çmimin që KEDS do të tarifojë dhe nëse ZRRE e aprovon këtë, atëherë duhet të kërkohen hetime për ato që po ndodhin.
“Si rekomandim, t’i referoheni çmimit të parasë në treg, sepse paraja në treg është më e lirë se sa që ia keni pranuar. Me 6.5 për qind merr sot kredi secili në Kosovë e jo një korporatë profitabile me parametra çfarë ju e keni paraqitur. Nëse unë si deputet jam në gjendje të argumentoj këtu se kostoja e parasë në treg është më e lirë se që po e kërkon KEDS-i, dhe ju e aprovoni këtë, atëherë gjithsesi se duhet të kërkojmë edhe hetim për të kuptuar mirë e saktë se pse po ndodhin këto gjëra. Pra, pse një operatori privat përtej asaj që jepet në treg i mundësohet të paguhet më shtrenjtë? Ky është një rekomandim i imi dhe ju kisha sugjeruar t’i merrni seriozisht, sepse në fund të ditës përfaqësojmë qytetarët, të cilët i paguajnë këto fatura, të cilat ju po i shpërndani në 12 muaj me çmim më të shtrenjtë”, tha ai.



