Kur po bëhen tri javë nga zbulimi i parë i mishit të dyshimtë nëpër marketet kosovare, Inspektoratet komunale po vazhdojnë akoma të kapin mish të prishur.
Kësaj radhe kapja ka ndodhur në Ferizaj, që shënon herën e dytë që konfiskohet mish i prishur në këtë komunë, shkruan gazetametro.net.
Sipas një njoftimi të Komunës së Ferizajt, sot janë kapur 350 kg nënprodukte të mishit, të cilat janë suxhuk e proshutë.

“Aksioni i Inspektoratit Komunal ka rezultuar me konfiskimin dhe asgjësimin e afro 350 kg nënprodukte të mishit të cilat janë zënë gjatë kontrollit rutinor nga ana e policisë në një mjet transportues që po qarkullonte në territorin e Ferizajt për të cilën është njoftuar Inspektorati Komunal, të cilët menjëherë kanë dal në vendngjarje, kanë konstatuar gjendjen duke proceduar me konfiskimin dhe asgjësimin e kësaj sasie produkti”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Ndërkohë, Inspektorati ka bërë të ditur që do të nis edhe procedurat penale për shkak të kapjes së këtyre produkteve, të cilat po transportoheshin rrugës dhe u kapën nga Policia.

Ndryshe, skandalin me mishin e prishur në shitoret e Kosovës e zbuloi së pari Metro në Mitrovicë. Nga dokumentet dhe fotografitë u vërtetua se në ETC e Viva Fresh ishin kapur mbi 1 ton mish i prishur, i cili raportim më pas nxiti edhe komuna të tjera të rrisin kontrollin. Deri tash mish i prishur është kapur nëpër marketet e Mitrovicës, Skënderajt, Ferizajt dhe Prizrenit.