Të bindur se serbët do t’i kursenin gra e fëmijë, nënë Fetija qëndroi në shtëpinë me bodrum vetë e 21’ta. Afër vetës, kjo nënë nga Gjakova, mbante dhe shtrëngonte fortë fëmijët.
Atë natë vajza e saj, Diona do mbushte 2 vjet kurse Rina një vajzë tjetër, 4.
Në vend se të festonin ditën e lindjes ato u masakruan.
E si të mos u mjaftonte paramilitarëve vdekja e fëmijëve të pafajshëm, ata edhe i dogjën kufomat e tyre.
E tëra ndodhi në shtëpinë e Lulzim Vejses, ku, atë natë, ishin strehuar 21 familjarë dhe miq të lagjes, fëmijë gra e pleq.
20 u vranë.
Vetëm Dreni shpëtoi i gjallë.
I mbetur nën trupat e të vdekurve, Dreni atëbotë 10 vjeçar do shpëtojë disi që sot të mbetet si dëshmitar i kësaj masakre që ndodhi me 2 prill të vitit 1999.
Ani pse ndodhet 6000 milje në Vancouver të Kanadasë, kujtimet e kthejnë atë në Gjakovë tek tmerri që përjetoi para 19 vjetësh.
“Më sillet nepër kokë gjatë gjithë kohës , kam ankthe , është diçka me të cilën duhet të jetoj , nuk është zgjedhja ime ! Më kujtohen fjalët që kisha dëgjuar se bodrumi i axhës Lul është streha më e sigurt edhe nga serbët edhe nga bombardimet eventuale.Unë e parandjeja se diçka e keqë do ndodhte dhe i thashë nënës , të rrijmë sonte këtu se diçka e keqë do ndodhë , ajo më tha ti rri nëse do me tezen tende , dajën dhe gjyshërit , por unë do i marr motrat tua dhe do shkoj.Unë i thashë që nuk të lë vetëm dhe shkuam.
Na vunë në gjumë dhe natën nëna më zgjoi duke më thënë se kanë ardhur Policia serbe , gjëja e parë që i thashë ishte “të kam thënë se diçka e keqë do ndodhte”.Pastaj ata filluan të bërtisnin dhe të akuzonin se në ishim me UCCK-në dhe se po i mbanim e fshihnim ata”, thotë ai.
Edhe të shtënat e para brenda shtëpisë ishin ndaj një fëmije, një vajze 15 vjeçare .
“Më kujtohet se një vajzë me emrin Flaka që kishte 15-16 vjet provoi t’u bëjë çaj policëve, t’ua “zbutë zemrën”, por një polic e shtyri dhe prapa shpinës me rafal automatiku e rrëzoi përtokë. Nëna e saj provoi t’i ndihmonte vajzës, por edhe ajo e pësoi njëjtë”, theksoi ai.
Por gjithçka për Drenin do përmbysej nga të shtënat që do vinin më pas.
Nëna e tij, që në atë moment po kujdesej për motrën e vogël u qëllua pas shpine, duke rënë mbi vajzën .
“Nëna ime po ia ndërronte pelenën motrës time që atë natë mbushte dy vjet teksa njëri nga ta filloi të qëllojë unë isha ulur prapa një gruaje dhe kur qëlluan rashë për tokë dhe unë.
Kishte tym kudo, sepse ata i kishin vënë zjarrin dollapit dhe njëri nga ta mori dritën për të kontrolluar nese të gjithë ishin të vdekur. Ai qëlloi dhe unë ndjeva lëvizjen e plumbit mes flokëve të mia”, tha Dreni.
Diona e vogël ishte ende gjallë nën nënën e saj, por Dreni i plagosur në krah nuk mundi të bënte gjë.
“Unë u përpoqa të shpëtoja motrën time të vogël, por unë mund ta lëvizja vec njërin krah dhe shtëpia ishte mbushur krejt tym e dija që nëse do qëndroja, nuk do mund të përballoja, rrëfehet ai.
Dhe Dreni jetoi, si në thënien e Atë Zef Pëllumbit , Rrnoi për me tregue !
Ai doli nga dritarja e vrapoi për tek tezja dhe i rrëfeu se ç`ndodhi .
U mor në përkujdesje nga mjekët ani pse asnjëherë nuk u pa rehat .
Ai i doli përballë Millosheviqit duke hequr dorë nga statusi i dëshmitarit të mbrojtur.
K-13-a ishte Dreni, heroi i familjes Vejsa që përmbushi misionin e tij për të treguar se çka ndodhi në ditëlindjen e motrës.