Lëvizje të shtuara janë parë në Qeverinë e Kosovës, mbrëmjen e së enjtes, pas zhvillimeve të ditës kur Policia e Kosovës ka ndaluar gjashtë shtetas turq të lidhur me lëvizjen gyleniste.
Ende mbetet e paqartë nëse këta shtetas turq janë depërtuar ose jo për në Turqi.
Në anën tjetër, të tre krerët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kreyparalamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë shprehur se nuk dinin gjë paraprakisht për këtë aksion.
Para pak minutash, zyra e Haradinajt ka lëshuar një njoftim për media, përmes së cilës bëhet me dije se kryeministri i Republikës së Kosovës, pas operacionit të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ku janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq, në përputhje me përgjegjësit e tij kushtetuese dhe ligjore ka kërkuar raportim nga Drejtori i AKI –së, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Drejtësisë.
“Kërkoj nga ju, që në përputhje me përgjegjësitë tuaja Kushtetuese dhe Ligjore, raportim të plotë dhe të saktë lidhur me rastin e ndalimit dhe deportimit të gjashtë qytetarëve turq nga Kosova. Pse u revokuan lejeqëndrimet e tyre? Pse u bë ndalimi i tyre? Pse janë deportuar me urgjencë dhe në fshehtësi?”, ka pyetur Haradinaj./ktv/