Kolegu i punës e gjeti pa shenja jete në veturën me të cilën udhëtonte për në punë, 55-vjeçarin Islam Gashi nga fshati Mramor i Prishtinës. Motra e tij, Maliqja rrëfen për Gazetën Express, se vëllai i saj si çdo ditë tjetër, pasi kishte ngrënë ishte nisur për punë. Por, disa orë më pas familjarët hapën të pamen pasi morën lajmin se Islam Gashi u gjet i vdekur. Vdekje kjo që po cilësohet e dyshimtë nga ana e Policisë.
Gashi punonte rojë në një punëtori të sharrimit në Mramor. Ai la pas vetes gruan, dy vajza dhe një djalë. Varrimi i tij u bë të martën në orën 15:00.
Pak para varrimit Express ka qëndruar në shtëpinë e të ndjerit. Motra e tij, Maliqe Gashi ka rrëfyer këtë ngjarje.
Maliqja thotë se vëllai i saj nuk është ankuar asnjëherë nga ndonjë sëmundje. Ajo tregon momentin e fundit të nisjes nga shtëpia pasi Gashi kishte ngrënë. Ajo thotë se nuk ka lënë ndonjë fjalë.
“Ka punu qaty që s’di sa vjet, që 10 vjet rojë u kanë. Mirë u shku prej ktuhit, s’ka anku, smutë s’u kanë kurrë. Na lajmëruan than në kerr është i dekt, tjetër send spo di. Prej shpisë u nis, ka hanger bukë, ka pi si gjithherë, dul i grahi kerrit as nuk la fjalë”, rrëfen ajo për Express.

Djali i axhës së Islamit, Agimi, tha se një koleg i punës e ka gjetur pa shenja jete në veturë.
“Kur janë shku në mëngjes e kan gjetë në veturë, tash nuk po dim kur ka vdek gjatë natës. Jon shku ndrrimi i ditës e kan gjetë në veturë, vetura e mbyllne. Te një sharrë ka punu”, tha ai.
Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
“Ja kanë bo obduksionin, rezultatet merren vesh pas tri jave na kanë thanë”, tha Agimi më tej.
Kjo vdekje po cilësohet si e dyshimtë nga ana e Policisë së Kosovës.
“Fshati Mramor, Prishtinë 19.03.2018 – NN. Në veturën e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull K/Shqiptar. Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e policisë për këtë rast. /Gazeta Express




