Presidenti Thaçi ka dalë me propozim që Qeveria e Kosovës dhe institucionet përcjellëse të barten në Hajvali. Merret vesh qe janë përmendur edhe ndërtuesit potencialë. Express ka marrë vesh që këtë propozim Presidenti do ta bëjë edhe në një mbledhje të ardhshme të Qeverisë
Udhëheqësit më të lartë të Kosovës kanë zhvilluar një takim të përbashkët, në natën e së dielës.
Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat e ministrat e qeverisë kosovare kanë darkuar bashkë, në Hajvali.
Qeveritarët e vendit, bashkë me Presidentin dhe Kryeparlamentarin, janë bërë bashkë në periferi të Prishtinës, në rezidencën e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.
Takimi, i natyrës joformale, u zhvillua një ditë para se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta procedojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Kjo bëri që të spekulohet në media se arsyeja e mbledhjes së udhëheqësve të vendit ishte pikërisht çështja e demarkacionit, që po e mban peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, qëllimi i takimit të krerëve të vendit në Hajvali ishte krejtësisht tjetër, ka mësuar Gazeta Express, nga burimet e saj të mirinformuara.
Në darkën e përbashkët, presidenti Thaçi ka dhënë një propozim interesant. Ai ka sugjeruar që të gjitha institucionet e vendit të zhvendosen larg zemrës së Prishtinës.
Thaçi, në këtë takim, ka propozuar që Qeveria e Kosovës, dhe institucionet përcjellëse, të barten në Hajvali.
Gjatë darkës së udhëheqësve janë përmendur edhe ndërtuesit e mundshëm të objekteve të reja shtetërore.
Burimet e Gazetës Express kanë bërë të ditur se këtë propozim, për zhvendosjen e Qeverisë dhe të institucioneve përcjellëse në periferi të kryeqytetit, Presidenti do ta paraqesë edhe zyrtarisht – në një mbledhje të Qeverisë. /Express/