Zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Kosovës po zhvillojnë sonte një takim të përbashkët – por jo në vendin e tyre të punës. Pjesëmarrës, në një darkë joformale, janë edhe Presidenti dhe Kryeparlamentari i vendit.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e qeverisë kosovare po darkojnë bashkë, në rezidencën e zëvendësit të parë të Haradinajt, Behgjet Pacolli.
Në këtë darkë, pjesëmarrës është edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Ky takim i udhëheqësve të vendit, në periferi të Prishtinës, në Hajvali, po ndodh një ditë para se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta procedojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Kabineti i Kryeministrit ka bërë të ditur për Express se takimi i qeveritarëve të vendit, në shtëpinë e Pacollit, është i natyrës joformale.
Gazeta Express ka siguruar një fotografi, ku shihen qeveritarët, bashkë me Presidentin dhe Kryeparlamentarin, duke darkuar bashkë.
Nga fotografia shihet se jo të gjithë pjesëtarët e Qeverisë po marrin pjesë në këtë takim.
Ashtu siç ka raportuar Express, në darkën në Hajvali nuk është i pranishëm zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, nga Nisma.
Në takimin joformal nuk po marrin pjesë as ministrat e partisë së Limajt në Qeverinë e Kosovës.
Arsyeja e mungesës së Limajt dhe ministrave të Nismës në këtë mbledhje nuk është bërë e ditur. /Express/
