Kuvendit të Kosovës nuk i ka shkuar kërkesa përmes së cilës raportohet se tashmë të dorëhequrit nga Lëvizja Vetëvendosje do të krijojnë grup të vetëm parlamentar. Kështu ka bërë të ditur për Express, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi. Sipas tij, kur të ndodhë një veprim i tillë, kërkesa do të publikohet në faqen zyrtare të Parlamentit
Dhjetë deputetë të Vetëvendosjes, siç ka raportuar Koha.net, e kanë dërguar këtë javë në administratën e Kuvendit kërkesën për krijimin e një grupi të ri parlamentar.
Grupi i të dorëhequrve, që ndryshe po njihet edhe si krahu i Molliqajt, tashmë ka ndarë mendjen për të bërë një grup të vetëm parlamentar. Por kjo mohohet nga sekretariati i Kuvendit. Të paktën atyre deri më tani kjo kërkesë ende nuk iu është adresuar.
“Lidhur me çështjen e ngritur, në administratë nuk kemi marrë kërkesë për grup të ri parlamentar, në momentin që pranojmë e njëjta do të publikohet në ueb-faqen e Kuvendit”, është shprehur ai.
Megjithatë, për këtë situatë, të enjten mbrëma u deklarua për Express edhe Faton Topalli, emri i të cilit thuhet se figuron në këtë listë.
Ai nuk ka dashur të japë shumë detaje për këtë, por ka pranuar se diçka ka ndodhur.
“Nuk mund të them po ose jo. Kjo edhe mund të ketë ndodhur. Por, unë nuk e di. Zyrtarisht nuk jam njoftuar ende. Por, kjo edhe do të ndodhë ose mund të ketë ndodhur”, ka thënë Topalli për Express.
Lista e deputetëve që e kanë bërë kërkesën dhe do të ndahet nga VV-ja është:
1. Visar Ymeri, 2. Dardan Molliqaj, 3. Dardan Sejdiu, 4. Dukagjin Gorani, 5. Aida Dërguti, 6. Shqipe Pantina, 7. Faton Topalli, 8. Fisnik Ismaili, 9. Driton Çaushi, 10. Donika Kadaj.
Nëse kjo mbetet lista përfundimtare, Vetëvendosje do të mbetet me 22 deputetë në Kuvend dhe do ta humbasë primatin e grupit më të madh parlamentar.