Tekniku francez mund të shkarkohet, nëse Los Blancos nuk arrijnë ta përmirësojnë formën menjëherë, dhe nëse rezultatet në Ligën e Kampionëve nuk janë të nivelit më të lartë.
Pas eliminimit historik të Real Madrid në Kupën e Mbretit nga një kundërshtar modest si Leganes nuk ka më fare vend për alibi dhe trajneri Zinedine Zidane tashmë është vënë në shënjestër nga të gjithë, presidenti, ambienti i trazuar madrilen.
Por mbi të gjitha nga vetë shtypi spanjoll, që këto kohë nuk po kursehet më, por është duke sulmuar pa mëshirë për zgjedhjet e tij tepër të diskutueshme në formacion, zëvendësimet e kryera si dhe për protagonizmin krejtësisht të pashpjegueshëm, në afat kalimtar, në një klub tepër të pasur si Reali, që renditet i dyti në planet pas klubit të famshëm anglez Manchester United.
Los Blancos këto kohë duket sikur nuk kanë më as alternativa dhe ndryshimet e shpeshta në formacion, që dikur funksiononin tashmë nuk japin më kurrfarë rezultati, por natyrisht që një gjë e tillë është e kuptueshme, duke patur parasysh vendosmërinë e Zizusë për të larguar nga ekipi lojtarë të tillë si Moratta, Pepe, James, Danilo, Mariano dhe Fabio Coentrao, si dhe besimin e verbër të trajnerit francez te shumë lojtarë të rinj që ka aktualisht në dispozicion.
Nuk kishte ndodhur kurrë që Reali të eliminohej në Kupë pasi kishte fituar më parë ndeshjen si mysafir, kështu që i vetmi objektiv sezonal tani mbetet thjesht Liga e Kampionëve, por pyetja që lind natyrshëm është a do të mbërrijë dot Zidane deri te festa e Shën Valentinit?
Koha kalon shpejt, gjithsesi dhe Los Blancos duhet të hedhin pas krahëve zhgënjimin dhe zemërimin e tifozëve, teksa do të vizitojë Valencia e vendit të tretë, që, gjithsesi, ka ndryshuar shumë dhe nuk është më skuadra që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin me gjysmën e pikëve, krahasuar me Realin.
Kuptohet që bëhet fjalë për një objektiv mëse të arritshëm, nëse merret parasysh fakti që mbetet për t’u rekuperuar gjithashtu edhe takimi i prapambetur pikërisht me Leganes, për më tepër që vëmendja e Valencia është e gjitha te gjysmëfinalja e parë në Kupën e Mbretit, që do të mbahet në mesjavë në Camp Nou ndaj Barcelona.