Struga është fituese e “Kupës Pavarësia”. Skuadra shqiptare nga Maqedonia ka triumfuar në turneun që mbahet për nder të Ditës së Flamurit e që këtë radhë e organizoi edicionin e nëntë, shkruan zeri.info.
Në turneun që mbahet çdo vit për 28 nëntor morën pjesë katër ekipe, Liria nga Prizreni, Otranti i Shkupit, Tirana dhe Struga.
Nga dy çiftet e para, Liria – Otranti dhe Tirana – Struga, në finale u kualifikuan ekipet Otrant dhe Struga.
Ndeshja ndërmjet këtyre dy ekipeve u karakterizua me një rivalitet shumë të fortë, që u pëlqye edhe nga të pranishmit në stadiumin e Korçës, ku u mbajt ky turne.
Dhe, ndeshja përfundoi baras 0:0 e me këtë rast u desh që fituesi të përcaktohej pas gjuajtjes së penalltive.
Nga 11-metërshi, më të saktë u treguan futbollistët e Strugës që e rrëmbyen kështu kupën dhe u shpallën kampionë të këtij turneu.
Trofeu ekipit fitues i është dorëzuar nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, dhe nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi./zeri/