Gani Sejdiu do të jetë trajner i Trepçës ’89 për vazhdimin e sezonit.
Trajneri mitrovicas ka zënë vendin e Sabit Osmanit.
“Kam arritur marrëveshje vullnetare me 89-shin. Do t’i ndihmoj ekipit duke e drejtuar atë deri në janar, por pa nënshkruar kontratë. Jam mitrovicali dhe i kam borxh këtij ekipi. Më pas do të bisedojmë në janar dhe të shohim”, deklaroi Sejdiu për “GazetaOlle.com”.
“Olle” paralajmëroi dje arritjen e akordit mes palëve, pasi që drejtuesit mitrovicas dhe Gani Sejdiu kishin nisur negociatat mes ditësh.
Ata kanë zgjidhur edhe detajet e fundit, për të zyrtarizuar ri-bashkimin.
Ndryshe, Sabit Osmani nuk do të largohet nga skuadra mitrovicase.
Ai do të kthehet përsëri në pozitën e ndihmës-trajnerit, ashtu siç ishte para largimit të Zekirija Ramadanit.
Osmani i doli në ndihmë ekipit në momentin kur iu desh më së shumti, duke e drejtuar atë në 6 sfida.
Ai ka arritur tri fitore, një barazim dhe dy disfata.
Madje, dy humbjet i pësoi në stadiumin “Riza Lushta”, një nga Gjilani e një nga Prishtina.
Sejdiu e nisi këtë edicion nën drejtimin e Feronikelit.
Mirëpo, ai u largua nga skuadra për, ashtu siç u tha, arsye personale.
Sejdiu nuk bëri fillim të mirë të kampionatit me ekipin nga Drenasi.
Në 7 xhirot sa e drejtoi ai skuadrën, Feronikeli shënoi dy fitore, katër barazime dhe një humbje.
Për dallim nga hera e kaluar, kur fitoi titullin kampion, kjo aventurë e Sejdiut në Drenas nuk doli e suksesshme. /Gazeta Olle/
