Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, vazhdon ende të përflitet në media që është një nga deputetët e mundshëm që mund të votojë për kandidatin e koalicionit PAN-it për kryeparlamentar dhe kryeministër.
Por, ditë më parë Tahiri ka bërë të ditur që ai do të votojë ashtu si vendos AKR-ja.
“Nuk është e vërtetë, çka do që vendoset në parti unë do ta respektoj atë. Unë Behgjet Pacollin e kam lider të partisë, Kryesia vendos dhe unë nuk jam vetëm anëtar i partisë por edhe nënkryetar i AKR-së”, ishte shprehur Labinot Tahiri.
Por, lidhur me këto raportime, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, njëhërit edhe kryetar i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se a do të votojë Tahiri pro PAN-it është çështje personale, por që sipas Bahtirit, qëndrimi i AKR-së është që mos të votohet pro koalicionit PAN.
“Ju pyetni vetë Labinot Tahirin nëse do të votoj apo jo, është qëndrim edhe personal dhe ashtu le te shkoj personal. Qëndrimi i Partisë është që mos të votohet po nëse Labinot Tahiri e dëshiron të kundërtën atëherë është vepër personale e tij. Tash e sa kohe flitet për gjera të tilla dhe vetëm flitet”, është shprehur Bahtiri.
Ndërsa në pyetjen se a do ta votonin një kandidat tjetër të PAN-it për kryetar Kuvendi, Bahtiri ka thënë se vendimet merren në parti.
“Ne marrim vendim në parti dhe vendimi do të jetë real e që do të mbahet para mbledhjes se Kuvendit. Ne para se të hymë në Kuvend do të përcaktohemi”, ka përfunduar Bahtiri.
Përndryshe, kujtojmë se seanca e radhës konstituive e Kuvendit të Kosovës, është caktuar të mbahet me 10 gusht, ndërsa dy seancat e kaluara janë bojkotuar nga koalicioni PAN.