Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni është pritur sot në një takim zyrtar nga Sekretari i Përgjithshëm Jurgen Stock, në selinë e INTERPOL-it në Lyon të Francës
Hyseni dhe Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock kanë zhvilluar një bisedë të gjatë dhe përmbjatësore lidhur me aplikimin për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë.
Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në takimin e fundit të mbajtur nga 31 maj – 2 qershor 2017 kishte vendosur që kërkesën për anëtarësim në INTERPOL të Republikës së Kosovës ta përfshijë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të e cila do të mbahet në Peking të Kinës nga 26-29 shtator 2017.
Këshilltari ndërkombëtar Hans Corell, i cili ishte emëruar për të udhëhequr një studim rreth procesit të anëtarësimit në INTERPOL, ka finalizuar punën e tij dhe tashmë raportin ia ka dorëzuar Komitetit Ekzekutiv.
Bazuar në këtë raport, Komiteti Ekzekutiv do t’i paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për aprovim një kornizë të udhëzimeve për procesin e anëtarësimit.
Pas aprovimit të këtyre udhëzimeve, në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it në Kinë pritet të votohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim.
Gjatë takimit Sekretari Stock dhe Ministri Hyseni i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori i Kosovës në Francë Qëndrim Gashi, trajtuan edhe shumë çështje tjera të bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejt midis INTERPOL-it dhe institucioneve të rendit dhe ligjit në Kosovë, mbi të gjitha me Policinë e Kosovës.
