Përpos Nismës, ka pasur edhe deputetë të tjerë nga PDK-ja, si Nait Hasani, Shaip Muja, Rafet Rama, Raif Qela e Shukri Buja, që mbështetën mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por që disa nuk ishin në listën për kandidatë, Raif Qela e Shukri Buja, ndërsa që Nait Hasani, Shaip Muja e Rafet Rama nuk arritën t’i merrnin votat e mjaftueshme për mandatin e deputetit.
Data 10 e muajit maj shënon rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, pas një mocioni për mosbesimin e saj, të iniciuar nga Nisma për Kosovën, e të mbështetur edhe nga deputetë të tjerë.
Por, pavarësisht se iniciuan dhe mbështetën mocionin, disa deputetë nuk arritën që në zgjedhjet e 11 qershorit të fitonin sërish votat e mjaftueshme për një tjetër mandat.
Valdete Bajrami e Enver Hoti janë dy deputetë nga Nisma për Kosovën, parti kjo që inicion mocionin, që kanë mbetur tashmë jashtë Kuvendit.
Arsyetimi i Valdete Bajramit
Për këtë, Valdete Bajrami që ka qenë shefe e Grupit Parlamentar të Nismës, duke u shprehur krenare për punën e saj për tre vite në Kuvend, megjithëse nuk arriti t’i ketë votat e qytetarëve që të jetë përfaqësuese e tyre sërish, i ka falënderuar ata që e kanë votuar.
“Unë dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët që votuan për mua, por ja që kësaj here nuk mjaftuan votat për të qenë përfaqësuesja e tyre në kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë ndjehem krenare për punën që e kam bërë për tre vite sa kam qenë deputete dhe shefe e grupit parlamentar të Nismas, po ashtu jam krenare edhe për të gjitha qëndrimet e mia që ishin në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe të vendit”, është shprehur Bajrami në një prononcim për gazetën “Bota sot”.
Pavarësisht se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit, ajo thotë se e respekton vendimin e sovranit, dhe se ajo do të vazhdojë punën për projektet e Nismës.
“Ky ishte vendimi i sovranit dhe unë e respektoj, por pavarësisht asaj që nuk do jem në kuvend unë do vazhdoj të punoj për projektet e Nismës, sepse qytetarëve të Kosovës iu mungon fryma socialdemokrate dhe ne jemi adresa e vetme për të ndikuar në përmirësimin e politikave që direkt lidhen dhe ndikojnë në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka deklaruar ish deputetja.
Hoti: Jam i kënaqur për sa jam votuar
Duke thënë se mocioni ishte një mision që u realizua me sukses, ish deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti është shprehur falënderues për votat e qytetarëve, duke thënë se gara ishte e fortë.
“Sa i përket mocionit mendoj dhe jam i bindur se Nisma e ka realizuar një mision për largimin e qeverisjes së keqe nga vendi, udhëheqja e dobët e qeverisjes dhe kjo është bërë që i bie jashtëzakonisht mirë se ideja jonë për mocion për rrëzimin e qeverisë ka dalë e suksesshme. Ka qenë e domosdoshme, jemi të bindur, për udhëheqjen e vendit. Sa i përket asaj se pse nuk kam arritur t’i siguroj votat për deputet, nga ajo që unë i kam rezultatet unë jam i vlerësuar shumë mirë, ndihem shumë mirë, gara ka qenë e fortë. Rinumërimi i votave i ka shfaqur disa luhatje në rezultatin zgjedhor. Nuk jam ai që dua të komentoj dhe të adresoj gisht, por mendoj që ka mundur të jetë diçka edhe përtej kësaj, por unë ndihem mjaft mirë dhe i vlerësuar nga vota e qytetarëve dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj ata që e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë ende garën”, ka deklaruar Hoti për gazetën “Bota sot”.
Përpos Nismës, ka pasur edhe deputetë të tjerë nga PDK-ja, si Nait Hasani, Shaip Muja, Rafet Rama, Raif Qela e Shukri Buja, që mbështetën mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por që disa nuk ishin në listën për kandidatë, Raif Qela e Shukri Buja, ndërsa që Nait Hasani, Shaip Muja e Rafet Rama nuk arritën t’i merrnin votat e mjaftueshme për mandatin e deputetit.
Shaip Muja nuk deklarohet
I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, ish deputeti Shaip Muja nuk ka dashur të komentojë për temën, ndërsa që Raif Qela ka thënë se me vetë-dëshirë ka hequr dorë nga kandidimi për deputet, pasi ka dashur t’ua lëshojë vendin të tjerëve.
Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, përpos garës brenda koalicionit, si arsye ai përmend edhe raste të deputetëve që kanë ndodhur në të kaluarën.
“Edhe herën e kaluar pati ndodhur kështu me deputetët Tali e Rrustemi…duket ata që qëndrojnë prapa iu japin e iu marrin pushtet ashtu si ju nevojitet për përdorim politik. Pra është dukuri e përdorimit për qëllime të caktuar. Por ka ndikuar edhe gara brenda koalicionit”, është shprehur Tahiri për gazetën “Bota sot”.
Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Ilir Ibrahimi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se në këto zgjedhje është parë fenomeni ku votuesi ka dënuar establishmentin, pa ndonjë përcaktim programor apo ideologjik, por që kanë ndikuar edhe koalicionet parazgjedhore.
“Këtë mund ta shohim edhe në emrat e deputetëve që kanë arritur të sigurojnë votat për tu futur në parlamentin e ri.Po ashtu kemi pasur edhe koalicione parazgjedhore ku partitë politike përveç se nuk kanë mundur të përfshijnë në lista numrin e njëjtë të kandidatëve sikur të kishin kandiduar në mënyrë individuale, ka pasur një luftë të kandidatëve të partive të koalicionit ndërmjet vete. E tëra kjo ka sjellë befasi jo vetëm në rezultatin zgjedhor, ku dy partitë deri tani më të mëdha, PDK dhe LDK të shënojnë rënie të madhe, e ne anën tjetër kemi parë një rritje impresive të VV-në e si rezultat I kësaj shumë emra të njohur të këtyre partive, përfshirë edhe ata që kanë përkrahur mocionin të mbesin jashtë”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ndryshimi i mendësisë politike
Në anën tjetër, opinionisti dhe analisti Krenar Gashi thotë se zgjedhjet e fundit kanë treguar një fillim të një ndryshimi së mendësisë dhe sjelljes së votuesve në Kosovë dhe që votuesit nuk kanë rënë pre e manovrimeve politike.
“Me ‘fajin’ e vetë skenës politike, si rrjedhojë e krizave, ngërçeve, koalicioneve të panatyrshme dhe qeverisjes së degraduar, votuesit kanë vendosur që të jenë më të përfshirë në këto zgjedhje dhe të votojnë për ndryshim. Angazhimi dhe përfshirja më intenzive kanë bërë që votuesit të mos i ‘blejnë’ më shpjegimet bozë të subjekteve politike dhe t’i shohin manovrimet politike, siç ishte p.sh. mocioni i mosbesimit, të tilla si janë, pra përpjekje në luftën për pushtet. Në disa raste kjo ka rezultuar me një ‘ndëshkim’ që votuesit u kanë dhënë politikanëve duke mos i votuar”, është shprehur Gashi për gazetën “Bota sot