Policë të EULEX-it dhe ata të njësive elite të Policisë së Kosovës dje në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Kushevicë të Podujevës kanë zhvilluar një aksion policor në shtëpinë e Agron Sylejmanit.
Sipas Policisë së Kosovës, ky ka qenë një operacion kërkimi dhe arrestimi si pjesë e hetimeve penale në vazhdim nga PSRK-ja, ku janë ekzekutuar urdhra të dhënë nga një gjyqtar i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Operacioni është kryer nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, dy persona janë arrestuar me urdhër të gjykatësit, ndërsa dy persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për posedim të paligjshëm të armëve.
“Një person tjetër pritet të ekstradohet nga një shtet i jashtëm dhe të arrestohet gjatë ditës në lidhje me të njëjtin rast”, ka thënë Policia e Kosovës, shkruan “Zëri”.
Rreth 35 zyrtarë policorë ndërkombëtarë dhe 100 zyrtarë policorë nga Kosova bënë kërkime në lokacione të ndryshme në lidhje me shtatë të dyshuar, pjesë e hetimeve penale në vazhdim e sipër.
Policia ka konfirmuar se këto hetime kanë të bëjnë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe me tentimvrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të tjerë të UNMIK-ut në vitin 2004.
“Rasti është duke u hetuar dhe bashkërenduar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Urdhrat për arrestimet dhe kërkimet janë dhënë nga një gjyqtar i Kosovës për procedurë paraprake”, thuhet në komunikatë.
E aksioni për bastisje, që nisi në këtë fshat, ka të bëjë me ngjarjet e vitit 2004.
Ish-ushtari i UÇK-së, Agron Sylejmani, tashmë i ndjerë, së bashku me Shkumbin Mehmetin në vitin 2004 kanë vrarë një polic të Kosovës dhe një të UNMIK-ut. Në shkëmbim me armë zjarri është plagosur Shkumbin Mehmeti.
Ai tashmë gjendet në burg i dënuar me 30 (tridhjetë ) vjet, ndërkaq Agron Sylejmani është vrarë.
Sipas Prokurorisë së EULEX-it, Agron Sylejmani dhe të tjerë të panjohur kanë vrarë Bekim Kastratin, Besim Dajakun dhe kanë plagosur rëndë Gani Gecin.
Ndërkaq, një i dyshuar tjetër në lidhje me këto ngjarje, Ruzhdi Shaqiri, është vrarë në gusht të vitit 2014. Prokurori i EULEX-it, Robert Kucharski, i ka dërguar një shkresë zyrtare z. Hajriz Kastratit, babait të Bekim Kastratit të vrarë, me anë të së cilës njofton se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet për këtë rast, duke konstatuar se personi i identifikuar si doras, Agron Sylejmani, kishte vdekur.
Sylejmani ishte nga fshati Kushevicë, komuna e Podujevës. Djali i të ndjerit Haki Imeri, Kastrioti, kishte treguar se çfarë ka ndodhur me 3 të dyshuarit për vrasjen e babait të tij.
“Agron Sylejmani është vrarë nga policia e UNMIK-ut në vitin 2004, ku janë vrarë edhe dy policë në përleshje me të dhe me grupin e tij. Naim Kadriu ka vdekur në një aksident në Podujevë. Ndërsa për fatin e Avni Fetës nuk dihet se a është i vdekur apo ku gjendet. Këtë nuk e di askush”, kishte pohuar Kastriot Imeri.
Ndryshe, aksioni i djeshëm policor ka ndodhur pikërisht në ditën kur është funksionalizuar Gjykata Speciale, e cila pritet të merret edhe me disa raste të vrasjeve që konsiderohen të motivuara politikisht. /ZËRI/