Trepça ’89 është duke i bërë përgatitjet e fundit për organizimin e ndeshjes së kthimit të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Vikingurit, të cilën do ta zhvillojnë të martën në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, shkruan sot gazeta Zëri.
“Xehetarët” e kanë sefte këtë punë dhe po duan të dalin sa më mirë nga kjo përballje, në mënyrë që ta kalojnë provimin si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë sportiv, ku pretendojnë të kalojnë në rrethin e dytë, edhe pse kanë disavantazh prej 1:2 nga ndeshja e parë që e humbën në Ishujt Faro.
Kryetari i klubit, Abedin Zeka, të dielën ishte në vlugun e punëve pasi dita e ndeshjes po afron.
Ai me bashkëpunëtorë po punojnë që në fund të dalë gjithçka mirë dhe kampioni i Kosovës të përmendet për mirë.
“Puna po shkon mirë. Po mundohemi ta organizojmë lojën në mënyrë që të marrim notë sa më të lartë nga UEFA. Besoj e me organizimin që do ta bëjmë do të marrim lëvdata”, u shpreh për “Zërin” kreu i klubit mitrovicas, i cili nuk e fsheh dëshirën që “Minatorët” të fitojnë në Mitrovicë dhe ta eliminojnë Vikingurin.
Klubi mitrovicas, përmes grupit zyrtar në “Facebook”, ka bërë me dije se përgatitjet po shkojnë si duhet dhe se pret përkrahje nga anembanë Kosovë për ta dhënë provimin para institucioneve të larta ndërkombëtare dhe të tregojnë se jorastësisht janë kampionë.
Dalin në shitje biletat
Ashtu siç ishte paralajmëruar, të dielën kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen ndërmjet Trepçës ’89 dhe Vikingurit. Klubi mitrovicas i ka vendosur pikat kryesisht në sheshin e qytetit, ku tifozët e kishin mundësinë t’i blinin ato.
Çmimi i biletave ishte si vijon: 2 euro prapa portave, 4 euro në Lindje dhe 7 euro në Perëndim, çmime këto të arsyeshme për xhepin e qytetarit kosovar. Krahas mitrovicasve, ’89-shi pret që në ndeshjen me ekipin nga Ishujt Faro ta mbështesin edhe tifozë nga qytetet e ndryshme të Kosovës.
Siç njofton klubi mitrovicas, ekipi do të stërvitë sonte në stadiumin “Adem Jashari” nga ora 18:00, ku edhe do të zhvillohet ndeshja, ndërsa dyert e stadiumit të martën do të hapen prej orës 15:30, e ndeshja do të nisë në orën 18:00.
Vikinguri, për fitore në Mitrovicë
Kontingjenti i Vikingurit ka mbërritur të shtunën në Kosovë, ku është përballur me temperatura të larta, të cilat megjithatë nisën të binin të dielën, por edhe të hënën.
Ekipi nga Ishujt Faro është vendosur në Prishtinë, ndërsa do të ushtrojë në stadiumin e KEK-ut, para ndeshjes së nesërme, ku kjo skuadër kërkon ta konfirmojë rezultatin e ndeshjes së parë, duke fituar edhe në Mitrovicë, për të kaluar në fazën e dytë të këtij kompeticioni. /Zëri/