Asambleisti i Nisma për Kosovën në Drenas, Vehbi Berisha, në faqen e tij zyrtare në facebook ka publikuar një video material nga diskutimi i tij në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Drenasit, ku ka folur për Kornizën Afatmesme Buxhetore dokument ky i cili paraprin planifikimit të buxhetit komunal për vitin e ardhshëm. Ai ka akuzuar Komunën e Drenasit për keq-menaxhim si dhe mos organizim të projekteve kapitale sipas kërkesave të qytetareve të Drenasit.
Për me tepër shih postimin dhe videon e publikuar nga Asambleisti Berisha në facebook:
Të nderuar qytetarë të Drenasit, në vijim ndiqni diskutimin tim në lidhje me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2018 (KAB), diskutim ky i zhvilluar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Drenasit të mbajtur me datë 28.06.2017.
Gjatë diskutimit tim e trajtova çështjen e projekteve të cilat do duhej të ishin të përfunduara ose të përfundojnë gjatë këtij viti, por që Kryetari i Komunës së Drenasit ka paraparë për të ndarë para për të njëjtat projekte edhe në vitin 2018, që do të thotë se vetëm 8 projekte të reja parashihen të jenë për vitin 2018 dhe kjo tregon fare mirë, se përveç që nuk ka koordinim dhe organizim në hartimin dhe listimin e projekteve të reja kapitale që do duhej të buronin nga kërkesa e qytetarëve dhe administratorëve të lagjeve urbane dhe ndër-urbane, kemi mos organizim dhe keq-planifikim të projekteve kapitale të cilat presin të miratohen për vitin 2018.
Po ashtu kam folur edhe për disa projekte të cilat janë shndërruar në skandale të Komunës së Drenasit dhe kjo tregon fare qartë së ku është katandisur Komuna e Drenasit nga keq-menaxhimi sistematik gati po thuajse prej dy dekadash.