E ardhmja e trajnerit italian Paolo Tramexani është ende e panjohur, ndërkohë që mediat zvicerane vazhdojnë të raportojnë në lidhje me kontaktet e tij me klubin e Sionit.
Sot ish-trajneri i Luganos ka vizituar ambientet e klubit që kërkon me ngulm ta punësojë në krye të pankinës për t’i bërë një vlerësim të përgjithshëm infrastrukturës ku do të punojë nëse firmos një kontratë.
Megjithatë ish-ndihmësi i De Biazit e ka shtyrë për ditën e hënë dhënien e një përgjigjeje përfundimtare, pikërisht pas ndeshjes Izrael-Shqipëri.
Ekziston mundësia që në rast të një dorëheqjeje të De Biazit pas këtij takimi, Tramexani të kontaktohet nga FSHF dhe t’i kërkohët të marrë në dorë drejtimin e një projekti të ri me kombëtaren shqiptare. Një ide e tillë e tërheq edhe vetë italianin duke qënë se e njeh shumë mirë ambientin ku punoi për 5 vite e gjysmë.
