Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq u bëri thirrje kosovarëve që të vazhdojnë dialogun në Bruksel.
Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se pas “kërcënimeve” të fundit të bëra nga ana e shqiptarëve të Kosovës, duhet që sa më shpejt që të jetë e mundur, të vazhdojë dialogu në Bruksel, apo kudo tjetër.
Ai tha se është e rëndësishme që të largohen tensionet, të mos provokohen tensione të reja apo fjalë të rënda për të trembur dikë, me mundësinë e dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre por që sipas tij është e rëndësishme të shmanget ndonjë incident i mundshëm.
“Ky është një propozim për njerëzit në Bruksel dhe Prishtinë. Sot është e lehtë për t’u përgjigjur në fyerje dhe kërcënime, por më e rëndësishmja është të bëhet diçka për të stabilizuar situatën, ruajtjen e paqes dhe të flasim për çfarëdo që është çështje kyçe”, ka thënë Vuçiq, shkruan Indeksonline.
Ai theksoi gjithashtu se asnjë urdhër, hetim apo padi për krimet e rënda nuk është arsye e mjaftueshme që dikush të kërcënojë me mbijetesën e një kombi.
“Është e papranueshme. As shteti i Serbisë as asnjë vend tjetër në botë nuk mund ta kuptojë këtë dhe se këto kërcënime meritojnë dënimin më të lartë”, ka shtuar Vuçiq duke komentuar deklaratën e deputeti Daut Haradinaj lidhur me mundësinë për ekstradimin e vëllait të tij në Serbi.