Zgjedhjet presidenciale serbe janë duke u zhvilluar në mënyrë normale edhe në Kosovë.
Madje dalja e qytetarëve serbe në Kosovë, në votime ka qenë mjaft e lartë deri në këto orë.
Por sipas shefes së Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami, lejimi i mbajtjes së këtyre zgjedhje në Kosovë, është ndërhyrje e pastër në sovranitetin e vendit por edhe në drejtim të kushtetutës së Kosovës.
“Lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve për president të Serbisë në tërë Kosovën është ndërhyje e pastër në sovranitetin e vendit tonë por edhe atak ndaj kushtetutës së Republikës sonë”, ka thënë Bajrami për Indeksonline.
Sipas saj kjo ndërhyrje po bëhet me lejen një qeverie jolegjitime.
“Kjo ndërhyrje po bëhet me lejen e kësaj qeverie jolegjitime, qeveri e cila që nga fillimi iu është nënshtruar Vuçiq-it, qeveri e cila ia mundësoi Serbisë të shtrijë edhe më shumë strukturat e saja paralele e lëre më që nuk po bëhet fjalë për shuarjen e tyre, qeveri e cila nga pazaret e bëra me Listën Serbe donë ta voton edhe marrëveshjen për demarkacionin, ja pra pse po mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë”, ka përfunduar Bajrami.
Kurse gjatë ditës së sotme shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori norvegjez, Jan Braathu, ka qëndruar në pjesën veriore të Mitrovicës, ku edhe ka realizuar një vizitë në një nga qendrat e grumbullimit të votave, në kuadër të procesit të zgjedhjeve presidenciale serbe.
Braathu, pas vizitës, e ka cilësuar procesin si të rregullt dhe pa probleme.
“Kam ardhur që të shoh se si janë duke shkuar gjërat, dhe nga ajo që pashë, gjithçka është në rregull dhe normale. Situata është e qetë, njerëzit po vijnë dhe kjo është mirë. Ne po shohim shumë njerëz që po vijnë dhe po kryejnë obligimin dhe të drejtën e tyre dhe nëse gjërat shkojnë kështu, ne do të jemi të lumtur”, ka thënë Braathu.