Një nga komplekset më të mëdha fetare të Kinës, Tempulli i Qiellit, (Tiantan), prej më shumë se 500 vitesh qëndron i hapur për vizitorët, raporton Anadolu Agency (AA).
Tempulli antik është futur në listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s në vitin 1998. Ai konsiderohet si simboli i kryeqytetit të Kinës, Pekin.
Ndërtimi i tempullit është kryer rreth viteve 1420 nga Dinastia Ming. Pjesa e tij e poshtme është në formën katrore, ndërsa ajo e sipërme në formën rrethore. Pjesa e poshtme sipas këtij besimi nënkupton tokën, ndërsa ajo e sipërme parajsën.
Tempulli është më i madhi në vend dhe emërtohet ndryshe edhe si kompleksi i tempujve.
Sipërfaqja mbi të cilën ai është ndërtuar është 2 milionë e 700 mijë metra katrorë. Ai është 3 herë më i madh se sa godina e cila konsiderohet si më e madhja dhe më e sigurta në botë, Qyteti i Ndaluar, i cili shtrihet mbi 720 mijë metra katrorë.
Pjesa e cila përdoret për lutje dhe që është e përbërë nga tre ndarje çatie në formë rrethi, është e lartë 38 metra dhe 30 metra e gjerë.
Në këtë faltore antike, ngjyra e kuqe e cila simbolizon madhështinë e arkitekturës kineze dhe ajo blu e cila simbolizon bukurinë tregojnë praninë e tyre në një recital harmonik. Pjesa e brendshme e kësaj faltoreje është ndërtuar me një akustikë të mirë, ndërsa pjesën më të madhe të ambienteve e zënë zbukurimet tradicionale kineze.
Disa pjesë të tempullit janë të zbukuruara me punime druri, ndërsa në to është përdorur teknika e quajtur Kyndekari, e cila bën pjesë në artin kinez dhe nënkupton punimin e drurit pa përdorur asnjë gozhdë apo produkt të ngjashëm.