back to top
Wednesday, September 10, 2025
BallinaLajmeVuçiq “kërcënon” Kosovën përmes “lutjes”: Mos i vrisni serbët

Vuçiq “kërcënon” Kosovën përmes “lutjes”: Mos i vrisni serbët

Të ngjajshme

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmes një konference të jashtëzakonshme për media, i është drejtuar gazetarëve në lidhje me çështjen e trenit serb të nisur për në Kosovë ditën e sotme, e i cili u ndalua që të hyjë me një vendim të Qeverisë së Kosovës.

Vuçiq tha se institucionet në Kosovë veçse i kanë nisur trupat policore në kufi, në Jarinje, të cilët, sipas tij, kanë pasur për detyrë që të arrestojnë “ngasësin e trenit dhe udhëtarët”.

“Kur e kanë parë serbët se çka po bëjnë shqiptarët, i kanë rrethuar policët shqiptarë dhe pastaj, pa lejen e askujt, i kanë nisur 17 vetura të blinduara Cobra të njësisë speciale ROSU me dëshirën e nisjes së një konflikti i cili do të ishte i përmasave të mëdha”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Kryeministri serb tha se ka marrë vendim që treni të ndalojë në Rashkë në mënyrë që “t’ua shpëtoj jetën njerëzve tanë”.

Ai ka thënë të ketë biseduar me liderët botërorë, në mesin e të cilëve edhe me zyrtaren evropiane Federica Mogherini.

“E kam informuar Mogherinin dhe i kam treguar se sa jam i dëshpëruar me mosreagimin e BE-së. Sonte pres reagimin e rusëve, nesër të Kinës, e nesër a pasnesër do e kontaktoj edhe Bidenin. Do ta bëjmë një analizë të të gjitha shkeljeve që i kanë bërë shqiptarët në javët e muajt e fundit”, u shpreh ai, transmeton Koha.net.

Më tej, ai tha se Serbia e do paqen dhe do t’i ndërmarrë hapat për ta ruajtur paqen.

Në fund, ai pati një “kërkesë dhe vërejtje” të fundit për shqiptarët.

“Serbët duhet të mbesin në tokën e tyre e shqiptarëve u them mos u përpiqni t’i sulmoni serbët me armë, sepse Serbia do të reagojë. Ua kam tërhequr vërejtjen të tjerëve që po heshtin. Për ne është problem nëse dikush i vret serbët. Nuk e lejojmë askënd që t’i vrasë serbët. Silluni me përgjegjësi dhe se paqja është në interes të të gjithëve. Mos luani dhe mos e rrëzoni atë që e kemi punuar gjatë – paqen. As gjyveçi, as çokollata e as treni s’është kërcënim për askënd. 50 autobusë në ditë [nga Kosova] kalojnë në Serbi dhe asnjëri nuk ka problem. Le ta kuptojnë mirë se çka i porosita. Dhe mos na u kërcënoni se as unë nuk po kërcënohem, por lutje që mos t’i vrasin serbët”, u shpreh kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq në fund të kësaj konference.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz