Ndonëse në tërë komunën e Mitrovicë e në veçanti në rajonin e Shalës së Bajgorës po mbretëron acar vërtetë, pothuaj të gjitha rrugët në komunën e Mitrovicës, si ato kryesore edhe ato dytësore, të dielën janë bërë të kalueshme.
Tërë situatën e vështirë të krijuar nga reshjet e borës, stuhitë dhe fërfëllizat, gjatë tri ditëve të fundit, e ka menaxhuar nga afër dhe i ka iniciuar masat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së vështirë, kryetari i komunë, Agim Bahtiri, me drejtorët e drejtorive përkatëse. Ai për çdo ditë e ka vizituar rajonin e Shalës së Bajgorës, ku situata ishte tepër e vështirë.
Edhe të dielën kryetari Bahtiri, me drejtorët Besnik Beka e Jeton Ujkani, ishte në shumë fshatra të këtij rajoni, ku bisedonte me banorët e atjeshëm, për të kuptuar se çfarë problemesh kanë dhe se si mund tu ndihmohet atyre.
“Jam i kënaqur sot që ekipet e kompanive kontraktuese kanë punuar vazhdimisht dhe kanë arritur që situatën ta normalizojnë dhe që të gjitha rrugët kryesore të jenë të kalueshme. Këtë e ka mundësuar edhe ndërprerja e të reshurave dhe stuhive që kishte dy ditët e kaluara. Natyrisht se ka ende punë për t’i bërë të kalueshme edhe rrugët e lagjeve të shkapërderdhura të këtij rajoni dhe besoj se gjatë ditës së sotme, por edhe nesër, të gjithë banorët e Shalës së Bajgorës, do të mund të lëvizin papengesa të mëdha në dejtim të Mitrovicës dhe anasjelltas”, tha ai.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, i cili gjatë gjithë kohës i ka koordinua punët për hapjen e rrugëve në Rajonin e Shalës së Bajgorës, tha se rruga rajonale Mitrovicë-Podujevë, që është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, është e kalueshme, ashtu sikur janë të kalueshme edhe të gjitha rrugët tjera kryesore të këtij rajoni.
“Me punë të pandërprerë gjatë tërë ditës dhe natën deri vonë, kemi arritur që të zhbllokojmë dhe t’i bëjmë të kalueshme rrugët kryesore që shpijnë për në Selac, Kovaçicë, Rashan, Vidishiq, Melenicë, Vllahi, Zabërxhë dhe Maxherë. Po ashtu, kemi hapur edhe humb rrugë të lagjeve të shkapërderdhura në Bare, Bajgorë dhe Rashan. Knë mbetur të hapen edhe rrugët e disa lagjeve të tjera në Bajgorë e Rashan dhe besoj se kjo do të bëhet gjatë ditës”, tha Dragaj.
Sipas tij, banorët e këtij rajoni nuk kanë aktualisht telashe të mëdha dhe se ata nuk kanë pas kurrfarë kërkesash të tjera tek autoritet komunale.
“Një rast i një të sëmuri nga dializa në Bare, është zgjedhur me intervenim të shpejtë dhe është dërguar në Mitrovicë. Raste të tjera nuk ka pas. Banorët thonë se janë të furnizuar mirë me ushqime dhe nuk kanë nevojë për intervenim. I vetmi problem i të gjithë banorëve të këtij rajoni është mungesa e rrymës elektrike. Ne i kemi ndihmuar KEDS-it që të arrij ën fshatin Kutllovc ku ishin dy shtylla të rrëzuara që supozohet se janë shkaktarë të ndërprerjes së rrymës. Po presim raportin e zyrtarëve të KEDS-it. Po ashtu jemi gatshëm të intervenojmë në çdo kohë për të përmbush kërkesat e banorëve. Makineri e rëndë do të qëndroj gjatë gjithë natës në këtë rajon”, tha ndër të tjera Dragaj.
Brenda në qytet dhe lagjet e fshatrat e afërta, rrugët gjatë ditës së diel kanë qenë në gjendje shumë më të mirë se nj ditë më parë dhe se nuk ka pas probleme të mëdha. Edhe në qytet dhe rrethinë gjatë ditës së djeshme, në mbrëmje dhe të dielën, ka pas mungesë të rrymës elektrike në disa lagje, thuhet në njoftim.