Monday, July 21, 2025
BallinaBujqësiDuhet të flasim më shumë për bujqësinë

Duhet të flasim më shumë për bujqësinë

Të ngjajshme

Para disa javësh në një emision televiziv gjersa folëm gati gjatë gjithë kohës për politikë, një pjesë ia kushtuam edhe bujqësisë. Dhe ishte si një lloj “befasie” teksa fola me shifra për shumë zhvillime pozitive që kanë ndodhur dhe po ndodhin tash e sa vjet në shumë nënsektorë të bujqësisë e që për fat të keq nuk e kanë sa duhet vëmendjen e medies dhe të publikut.

Unë nuk e “vajtoj” faktin pse ka pak vëmendje, se dua që të mburremi për punën tonë si Ministri, por dua që publiku të shohë sa më shumë punën e cila bëhet nga fermerët tanë dhe nga agrobizneset tona. Për sfidat dhe sukseset që ata kanë çdo ditë, si dhe për mbështetjen që shteti jep për ta përmes taksave që ne paguajmë.

Një vëmendje më e madhe, një diskutim përmbajtjesor për këto tema, përveç tjerash do të shërbente si një motivim shtesë për ata prodhues e punëtorë në sektorin e bujqësisë për të punuar më shumë, por edhe një motivim për shumë të tjerë për ta parë bujqësinë si një sektor kreativ dhe me mundësi të jashtëzakonshme të përfitimeve materiale për ta dhe për familjet e tyre.

Ka shumë storie të jashtëzakonshme suksesi të të rinjve nga fshati e qyteti, që kanë hapur ferma e agrobiznese në vitet e fundit, duke gjetur kështu mundësinë për vetëpunësim dhe hapje të vendeve të reja të punës për shumë të tjerë. Këta fermerë të rinj, por edhe ata që për shumë vjet merren me bujqësinë qoftë në prodhim apo në përpunim, si dhe rritja e madhe e buxhetit të shtetit për bujqësinë po i japin një krah të fortë zhvillimit ekonomik në vend.

Andaj, dua të ndaj me ju disa të dhëna që flasin qartë për avancimin e këtij sektori dhe për ndikimin e rëndësishëm që ka në ekonominë e vendit.

Për këto dy vjet, vetëm nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë kemi ndarë rreth 90 milionë euro për fermerët përmes dy programeve tona mbështetëse; Programin e Zhvillimit Rural – grantet dhe Programin e Pagesave Direkte – subvencionet. Gati 1000 grante janë shpërndarë për këto dy vjet për fermerët dhe agrobizneset në nënsektorë të ndryshëm me një vlerë të përgjithshme prej rreth 45 milionë eurosh.

Këto grante kanë bërë që të shtohet prodhimi, të rritet sipërfaqja e tokës së punuar për qindra hektarë, të ngrihet cilësia e produkteve dhe çka është më e rëndësishmja të hapen rreth 5,000 vende të reja të rregullta të punës në bujqësi, të cilat janë të regjistruara edhe në institucionet përkatëse të shtetit.

Me subvencione, ndërkaq, në dy vjetët e fundit kemi mbështetur çdo vit rreth 35 mijë fermerë dhe ekonomi bujqësore. Përmes programit tonë ne subvencionojmë dhjetëra kultura dhe aktivitete bujqësore në shumë nënsektorë dhe mbi 45 milionë euro të ndara në dy vjetët e fundit kanë ndihmuar në mbajtjen e mbi 10,000 vendeve të punës në bujqësi. Duhet theksuar se mbështetja që ne japim është më e lartë se mbështetja që japin disa shtete në rajon, si: Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Pa dyshim se kjo mbështetje e përvitshme ende nuk është e mjaftueshme dhe bujqësia në Kosovë ende ka mjaft sfida, siç është fragmentimi i madh i tokave bujqësore, mungesa e sistemeve moderne të ujitjes, infrastruktura rurale e kufizuar, si dhe qasja e vështirë në financa për fermerët. Ne po punojmë edhe me partnerë të tjerë për tejkalimin e këtyre sfidave dhe krahas kësaj po rrisim mbështetjen për fermerët, jo vetëm përmes programeve tona vjetore, por edhe duke zgjeruar gamën e përkrahjes, si në rastin e zbatimit të shërbimeve këshilluese për fermerët, por edhe përmes reformimit të legjislacionit bujqësor.

Por, pavarësisht sfidave, bashkë me fermerët në këto vite jemi përpjekur ta zhvillojmë këtë sektor, andaj edhe rezultatet nuk kanë munguar.

Bujqësia përbën rreth 12% të BPV-së dhe është sektori që në pesë vjetët e fundit merr pjesë me rreth 1% në vit në totalin e rritjes së përgjithshme ekonomike në vend. Vetëm krahasuar me vitin 2015, prodhimi këtë vit është rritur për 7%, nga rritja prej mbi 30% në tri vjetët e fundit. Prodhimi tek perimet është rritur për 30%, tek pemët mbi 50%, ndërsa ka rritje prej 8% tek prodhimtaria blegtorale. Të dhënat e fundit, të cilat janë publike edhe në faqen online të Ministrisë së Bujqësisë, por edhe në atë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë për një avancim të shkëlqyeshëm të bujqësisë, që ka ndikuar edhe në gjenerimin e të ardhurave më të mëdha financiare për fermerët dhe agrobizneset.

Elemente tejet me rëndësi janë edhe trendi pozitiv i rënies së importit për shumë produkte bujqësore, rritja e ndjeshme e konsumit të prodhimeve vendore, si dhe vazhdimi i rritjes së eksportit të prodhimeve bujqësore, që këtë vit ka arritur në 8%. Në pjesën më të madhe të produkteve, në veçanti tek pemët dhe perimet, Kosova siguron mbi 60 të nevojave të konsumit. Pas dy ose tri vjetëve, për shkak edhe të ciklit të prodhimit tek pemët, me shumë lloje të tyre ne do të mbulojmë mbi 100% nevojat e konsumit. Por, storiet e suksesit nuk do të mungojnë edhe në shumë nënsektorë të tjerë, si tek perimet, për çka është investuar shumë në serra apo tek bimët aromatike dhe mjekuese, si dhe tek nënsektorët e mishit dhe të qumështit.

Ndërkaq, rrushi dhe vera e Kosovës gjithsesi do të vazhdojnë të trajtohen me prioritet edhe për faktin që kanë shënuar avancim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit, si në rritjen e prodhimit dhe cilësisë, ashtu edhe me shitjen në tregun evropian.

Kur shohim këto të dhëna, kur dalim në terren e bisedojmë me prodhuesit tanë, me grumbulluesit dhe me përpunuesit e produkteve bujqësore, e kuptojmë më mirë se çka në të vërtetë po ndodh në bujqësi, përtej temave të përditshme politike. Është e natyrshme se një pjesë e fajit pse merremi më shumë me tema të politikës ditore është yni, i njerëzve të politikës, por mediet dhe publiku duhet ta imponojnë debatin dhe interesimin pikërisht në këto tema që e përbejnë përditshmërinë tonë dhe që kanë ndikim real në jetët tona.

Edhe në Ministrinë e Bujqësisë, në gjithë punën tonë po përpiqemi që të ndajmë pa asnjë vonesë çdo informatë, të jemi sa më transparentë me shpenzimin e buxhetit, me të gjitha procedurat dhe kriteret për mbështetjen që ne japim dhe për çdo gjë tjetër që lidhet me zhvillimin apo ngecjen në bujqësi. Për ne është e rëndësishme që të flitet sa më shumë për këtë sektor, përmes një debati përmbajtjesor, me shifra dhe fakte, duke njohur mbi të gjitha mundin dhe djersën e shumë fermerëve dhe agrobizneseve, si dhe duke besuar në produktet e vendit tonë, cilësia e të cilave vërtet është rritur shumë dhe ato meritojnë dhe duhet të jenë në tryezat tona.

Duke qenë i bindur se çdo ditë e më shumë do të flasim për këto tema, ju ftoj që edhe në këtë fundvit të mbushni tryezën tuaj festive me prodhime vendore. Dhe kjo të ju përcjellë gjatë gjithë vitit që po vjen dhe viteve të tjera. (Autori është ministër i Bujqësisë).

- Advertisement -

Të Fundit