Shqipe Dema drejtoreshë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural, ka thënë për Preportr se vlerësimi i ndikimit të investimeve të Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural matet me indikatorët e monitorimit dhe vlerësimit dhe se shkëmbimi tregtar (importi-eksporti) nuk mund të jetë indikator i suksesit ose mossuksesit të investimeve në sektorin e bujqësisë.
“Të dhënat e doganës mund të tregojnë rritje të importit, por si numër i vetëm nuk tregon informacion për rritjen e prodhimtarisë vendore. D.m.th, duhet të bëhen matje të BPV (GDP), dhe të krahasohen mandej me të dhëna të tjera të cilat tregojnë se kujt dhe për çfarë i atribuohet kjo rritje e importit. Mandej duhet të bëhet analizë edhe importit dhe eksportit të produkteve të përpunuara, konsumit etj., për të ardhur në një konkluzion të tillë. Megjithatë në vitet e fundit ka rritje të eksportit të prodhimeve bujqësore: 12% në vitin 2014 në krahasim me vitin 2013 dhe 5.7 në vitin 2015 krahasim me vitin 2014”, thotë Dema.
Por sipas të dhënave të ASK-së, ndikimi i sektorit të bujqësisë në GDP nuk ka rritje, përkundrazi ka rënie të lehtë në tri vitet e fundit. Në vitin 2013 pjesëmarrja e bujqësisë në BPV ishte 11.9 %, në vitin 2014 ishte 11.8 %, ndërsa në vitin 2015 ishte 11.0%. Pra edhe ky parametër tregon se investimet në sektorin e bujqësisë nuk kanë dhënë rezultatet e duhura deri tani. Shqipe Dema thotë se shumë nga investimet në sektorin e bujqësisë kanë ndikim se paku tri vite e me shumë pas investimit. Ajo thotë se investimet në siguri dhe standarde të ushqimit nuk ndikojnë drejtpërdrejt në rritje të prodhimtarisë bujqësorë, kurse investimet në pemëtari kanë ndikim diku pas 3 viteve.
E pyetur se mbi bazën e çfarë metodologjie, studimeve apo analizave janë përcaktuar apo zgjedhur masat që përkrahë MBPZHR, Dema thotë se Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural është përgatitur sipas rregullave dhe procedurave të programit IPARD (IPA Rural Development) që ka për qëllim të mbështes vendet kandidatë dhe para kandidatë për anëtarësim në BE që të ristrukturojnë dhe zhvillojnë sektorin e agro-rural –industrisë ushqimore që të jetë konkurrentë me vendet e BE.
Ajo thotë se përzgjedhja e masave bëhet sipas analizës SËOT (pikat e forta, dobësitë, mundësitë, rreziqet) dhe rekomandimeve të analizës sektoriale. Pavarësisht rezultateve të deritanishme ajo thotë se këto masa nuk do të ndryshohen dhe se për të ndryshuar politikat duhet ekspertizë dhe analiza profesionale (analiza të ex-post dhe analizës sektoriale) të cilat duhet të na orientojnë dhe të na rekomandojnë në ketë drejtim.
“Përkundrazi këto dy raporte rekomandojnë të rritën investimet në këto masa”, thotë Dema. Ajo thotë se në tri vitet e fundit si rezultat i investimit në bujqësi përmes granteve, është rritur edhe numri i të punësuarve në këtë sektor. Në vitin 2013 janë krijuar 997 vende të punës, në vitin 2014 1 mijë e 156 dhe në vitin 2015 janë krijuar 1 mijë e 502 vende të reja të punës.
Ndërkaq, të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore që na ka dërguar Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë për një trend të theksuar të rënies së numrit të të punësuarve në sektorin e bujqësisë në tri vitet e fundit. Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2013 janë anketuar 82 mijë e 898 qytetarë dhe ka rezultuar se në fushën e bujqësisë kanë qenë të punësuar 18 mijë e 577 persona, ose 5.4%. Në vitin 2014 janë anketuar 87 mijë e 617 persona, nga të cilët në fushën e bujqësisë ka rezultuar se punojnë 7 mijë e 372, ose 2.3%. Ndërsa në vitin 2015 janë anketuar 84 mijë 217 persona dhe nga kjo moster ka rezultuar se në fushën e bujqësisë kanë punuar 5 mijë e 451 persona, ose 1.8 %. Sipas rekomandimeve të Eurostatit, të punësuar janë ata persona që punojnë në bujqësi dhe produkti final i tyre del në shitje si dhe ata persona që punojnë në bujqësi dhe ky prodhim përbën kontribut të rëndësishëm në konsumin total të ekonomisë familjare./preportr.cohu.org/