Analisti dhe njohësi i mirë i rrethanave politike në rajon, Azem Vllasi ka komentuar ndërtimin e murit të ndërtuar në Veri të Mitrovicës, pak metra larg Urës së Ibrit. Në një intervistë për “Indeksonline”, Vllasi theksoi se Qeveria e Republikës, respektivisht ministrja për Dialog, Edita Tahiri duhet ta informojë opinionin detalisht për marrëveshjen me Serbinë që ka të bëjë për këtë çështje.
“Të dihet që muri a është kundër kësaj marrëveshje apo përmban diçka tjetër që ne nuk dimë. Duhet të publikohet gjithë marrëveshja që është bërë për rivitalizimin e urës dhe intepretimet e ndryshme nga zonja Edita Tahiri dhe në emër të Unionin Evropian neve na shtyjnë në dilema sepse nuk po e dimë çfarë përmban ajo”, ka thënë ai
Më tej, Vllasi ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve të BE-së të cilët kanë thënë se muri i ndërtuar afër Urës së Ibrit në Mitrovicë do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve. Nëse marrëveshja nënkupton atë që po thotë Maja Kocijançiq, Vllasi thotë se për këtë duhet të jep përgjegjësi direkte ministrja Tahiri.
“Duhet të dihet që opinionin kosovar a është mashtruar pala jonë, Edita Tahiri, dhe mos t’ia lëmë fajin tjetër kujt. E nëse marrëveshja nuk e nënkupton atëherë muri brenda natës duhet të prishet me bollduzhera”, ka thënë ai.
Ndyrshe, ministrja për Dialog ka deklaruar dje se delegacioni i BE-së ka parë gjendjen e krijuar pas fillimit të ndërtimit të murit dhe se është kërkuar rrënimi i këtij muri. Ajo po ashtu ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian është i autorizuar që të realizojë pastrimin e urës. “Është pjesë e BE-së që ta rrëzojë këtë ndërtim ilegal, pasi është ndërtuar nga strukturat ilegale”, ka thënë ajo.
Ndërsa zyrtarja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Maja Kocijancic, ka deklaruar se muri i ndërtuar afër Urës së Ibrit në Mitrovicë, do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.
“Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidhë unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve të djeshme palët ranë dakord se do të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, ka thënë ajo, shkruajnë mediat serbe.
Ndër të tjerash, Kocijancic ka shtuar se Bashkimi Europian, do të monitorojë me kujdes zbatimin e kësaj marrëveshjeje. /Indeksonline/