Përdorni këto këshilla në mënyrë që t’i keni shpezët tuaj të shëndetshëm dhe të lumtur edhe gjatë ditëve me acar.
Mbajtja e pulave gjatë dimrit mund të jetë mjaftë stresuese për fermerët, e sidomos gjatë atyre ditëve të shoqëruara me shumë borë dhe akull. Prandaj pamë të udhës të përgatitim këtë artikull me disa përgjigje në pyetjet më të zakonshme rreth kësaj teme.
Çfarë duhet të bëjnë fermerët apo pronarët e pulave në mënyrë që të sigurohen se hapësira ku pulat e tyre rrinë do t’i mbrojë ato nga të ftohtit arktik?
Përgatitja e tufës për një të ftohët arktik është ndryshe nga përgatitja për dimër të zakonshëm. Dimri është zakonisht një ndryshim gradual. Nëse në regjionin ku jetoni keni dimra të ftohtë, atëherë ju duhet të përgatiteni para se të merrni tufën e pulave dhe të zgjidhni llojin që toleron më shumë të ftohtit. Në të shumtën e rasteve njerëzit zgjedhin tufën pa llogaritur se si do të ambientohet apo performojë ajo në atë regjion. Mirëpo, në përgjithësi pulat i rezistojnë bukur mirë temperaturave.
Në parapërgatitje për dimër, ju duhet të siguroheni se keni ushqim të bollshëm dhe qasje në ujë të freskët (të pa ngrirë) gjatë tërë kohës. Kjo është e ditur për të gjithë jo ndonjë risi. Gjithashtu duhet të siguroheni që strehimi në kotec e mbron tufën nga erërat e forta, por në të njëjtën kohë t’u sigurojë ventilim të mirë që koteci të furnizohet me ajër të pastër dhe të jetë thatë brenda. Ventilimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për tufën ngase mungesa e tij i vë pulat në rrezik të kenë problem me organet e frymëmarrjes. Më tutje, nëse mendoni të vendosni ngrohje në kotec, ajo përveç rrezikut për ndonjë zjarr të mundshëm, gjithashtu pengon kalitjen e pulave apo ambientimin e tyre me temperaturat e ulëta.
Gabimet më të zakonshme që bëjnë fermerët duke u munduar t’i mbajnë pulat e tyre ngrohtë?
Në fakt ju nuk duhet të tentoni t’i mbani pulat ngrohtë, por duhet t’ju siguroni kushtet e nevojshme që ato të mbajnë veten e tyre të ngrohtë. Puplat e tyre janë izolues shumë të mirë dhe në përgjithësi pulat tolerojnë të ftohtit relativisht mirë. Një kotec i mirë është për disa gradë më ngrohtë se sa temperaturat jashtë, e kjo vetëm nga nxehtësia që lëshojnë trupat e pulave. Plus, llojet e pulave që iu kanë përshtatur të ftohtit zakonisht kanë gëzof më të trashë të puplave (e kundërta me shpezët që janë adaptuar me kohërat e nxehta që kanë gëzof të hollë)
Puplat janë izolatorë të mirë – prandaj nën gëzof ato janë shumë të ngrohta! Prandaj gjëja më e mirë që mund të bëni është të gjeni llojin e duhur që përshtatet me klimën tuaj. Gabimi më i zakonshëm që haset në terren është se fermerët nuk marrin parasysh faktorin klimatik kur bëjnë përzgjedhjen e tufës së pulave.
Ndonjë gabim tjetër?
Një tjetër gabim që bëjnë pronarët e pulave ka të bëjë me kotecet që ata përdorin në tufat e tyre. Disa fermerë preferojnë të përdorin gypa të metalit në kotec. Përshtypja e parë është shumë e mirë për arsye se pushimoret e metalit janë shumë të fortë, dhe gjithashtu pastrimi apo mirëmbajtja e tyre është më e lehtë. Mirëpo, në kohët e ftohta kotecet e metaltë mund të shkaktojnë probleme serioze. Pulat kanë përshtatje speciale në këmbët dhe shputat e tyre, dhe sistem vaskular special që iu përshtatet të ftohtit, prandaj ato janë më pak të rrezikuara nga morthi (sëmundje e shkaktuar nga të ftohtët) në krahasim me kafshët tjera. Në këtë kontekst, koteci i metaltë nuk është ide e mirë, pasi që ata largojnë nxehtësinë nga këmbët e shpezëve tuaj. Prandaj, siguroni pulave tuaja kotec te rrafshët e të gjerë nga druri, në mënyrë që kur ato të flenë natën, këmbët dhe majat e gishtave të jenë të strukur në puplat e tyre e jo të mbështeten në ndonjë hapësirë të ftohtë.
Si është fillimi i morthit tek pulat?
Vendi më i zakonshëm ku mund të shihet morthi tek pulat është lafsha apo kreshta, e veçanërisht nëse pulat tuaja kanë kreshtë të madhe. Gjithashtu morthi mund të vërehet edhe tek Lafshat – dy pjesët mishtake të kuqe nën sqepin e pulës. (shih foton.) Në fillim morthi është zakonisht i bardhë, e ndonjëherë dhe më e rëndë dhe duket si të ishte mish i ngrirë. Por, pas një kohë ajo kalon në ngjyrë më të mbyllur si të ishte mish i ngordhur. Është shumë e dhimbshme dhe gjithashtu mund të paraqiten infeksione të tjera.
Si mund të merren pronarët e pulave me fillimin e morthit, veçanërisht në kreshtë?
Një mënyrë për të parandaluar morthin është të fërkojmë kreshtën me një shtresë të hollë balsami për buzë (rekomandohet dhe vazelina). Nuk mund të theksojmë se sa të holle, por ideja është që të parandalojmë qarjen e lëkurës, sepse lëkura e qarë është më e ndjeshme ndaj dëmeve që shkakton të ftohtit. Përdorni atë sasi që përdorni dhe ju në buzë, dhe kjo funksionin si masë parandaluese.
Nëse morthi është shfaqur, atëherë mos aplikoni balsamin ose vazelinën. Këto preparate nuk e trajtojnë morthin, dhe aplikimi i tyre në kreshtë apo lafsha të prekura me morth vetëm mund të shkaktojë dëme. Në këtë rast ju duhet të konsultoheni me veterinerin. Ngjashëm sikur veshi juaj të filloj të marrë ngjyrë të zezë, ju do të konsultoheshit me një mjek profesionist, andaj veproni ngjashëm edhe me pulat tuaja – konsultoni veterinerin.
A duhet fermerët të jenë të pajisur me pajisje esenciale apo të bazike në rast të dimrit shumë të ashpër?
Janë shumë gjëra që duhet të keni në duar në mënyrë specifike vetëm për kohërat e ftohta. Balsami për buzë dhe vazelina siç e cekëm më lartë janë gjithmonë më se të nevojshme. Në raste të veçanta, një burim i përkohshëm dhe i sigurte i nxehtësisë për kotecin tuaj. Ujë më i ngrohtë apo ekstra ujë që të ndërrohet me ujin e ngrirë në kotec. Gjithashtu mund të dëshironi të siguroni disa trajtime më shumë kalori si misër apo ‘tortë kamoshi’(ushqim plotësues) i veçante për pula. “Lojëra” (një lakër e varur) mund ti mbajë ato të angazhuara nëse kalojnë më shumë kohë në kotec. Por, mbani në mend që pulat qëndrojnë relativisht mirë në të ftohtë, nëse gradualisht kalojnë në të dhe deri sa të kenë ushqimin dhe strehimin e duhur.
Si mund të zgjedhim llojin më të përshtatshëm të pulave?
Zgjedhja e llojit të pulave është një ndër zgjedhjet më të rëndësishme që duhet të bëni, edhe nëse e bëni këtë punë vetëm për hobi ose nëse jeni duke shtuar tufën tuaj. Kjo do të thotë të bëni diferencën në mes të shtimit të kënaqësisë dhe përgjegjësive. Gjithashtu tek zgjedhja e llojit nuk duhet konsideruar vetëm qëndrueshmëria ndaj të ftohtit, por edhe sa janë të shoqërueshëm dhe si do ambientohen ato në oborret tuaja dhe në kotecet e vegjël, nëse kanë veti të mira trashëguese ose jo, aftësitë e tyre për të gjetur ushqim e kështu me radhë.
Përgatiti: Reuf Shkodra – /bujqesia.org/
Reuf Shkodra vazhdon studimet master në University of Debrecen në Hungari, në Degën Menaxhim Agrobiznesi